Sekuestrohet drogë me vlerë 4,1 mln €/ Goditen 2 grupe mafioze në Spanjë, njëra shqiptare

Garda Civile Spanjolle, në bashkëpunim me Karabinierët e Guardia di Finanza dhe DIA-s kanë finalizuar një operacion të koduar “Dragon Ball” dhe kanë goditur dy organizata kriminale, njëra me origjinë shqiptare.
Operacioni është kryer në dy faza radhazi, më 13 dhe 17 shtator, ndërsa kanë marrë pjesë rreth 400 agjentë të Gardës Civile në Ibiza, Malaga, Barcelonë dhe Tenerife.

Objektivi i operacionit kanë qenë dy organizatat kriminale që merreshin me trafik droge në Spanjë, njëra me origjinë italiane e lidhur me“Ndranghetën” dhe tjetra me origjinë shqiptare.

Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, armë zjarri, sasi të mëdha parash si dhe dokumente që mund të lidhen me pastrim parash nga veprimtari kriminale.

Rezultati i operacionit

Rezultati përfundimtar i operacionit ka konsistuar në shkatërrimin e dy organizatave kriminale të dedikuara për trafikun e drogës që vepronin në ishullin Ibiza, të cilat do të futnin në treg 94500 doza MDMA dhe kokaine, me vlerë 4.1 milionë euro. Gjithashtu, është sekuestruar edhe pasuri e luajtshme dhe e paluajtshme me vlerë të përafërt 22 milionë euro.

Mediat spanjolle shkruajnë se janë bërë gjithsej 32 arrestime, përfshirë shtetas italianë, shqiptarë dhe hungarezë, si dhe janë kryer 42 kontrolle pronash, 38 në Ibiza, 1 në Barcelonë, 2 në Malaga dhe 1 në Tenerife, përveç kontrollit në bodrumet e zonave të pyllëzuara në Ibiza.

Droga e sekuestruar arrin në 18 kilogramë metamfetaminë me të cilën mund të ishin prodhuar 870 mijë pilula ekstazi, 4,5 kilogramë kokainë, një plantacion kanabisi, me 600 bimë marihuanë, dhe sasi të konsiderueshme substancash të tjera, mjete peshimi dhe shtypjeje. Gjithashtu, janë konfiskuar dy armë zjarri, 330 mijë euro para të gatshme dhe 23 automjete të tipit të lartë.

Po ashtu janë bllokuar 116 llogari rrjedhëse dhe 15 prona të përdorura për pastrim parash. Ndër objektet e sekuestruara ishin ora luksoze (të markave Bulgari, Rolex dhe Cartier), bizhuteri, dokumente që lidhen me llogari bankare jashtë vendit, dokumente false identiteti, frenues frekuencash, një mori celularësh, memorie USB, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.

Loading...