Gazetari Arben Ahmeti, njërkohësisht dhe drejtori i Kanal10 ka rënë në prangat e policisë ditën e djeshme, nën dyshimet për dhunë në familje.
Sipas raportimit të mediave kosovare bëhet me dije se Ahmeti është ndaluar për 48 orë, me vendim të Prokurorit, pasi dyshohet për dhunë ndaj bashkëshortes së tij, pas një konflikti verbal.
Në raportin e policë të siguruar nga mediat thuhet se Ahmeti pas konfliktit verbal, në prezencë të fëmijëve, e ka shtyrë me duar gruan e tij pasi që e njëjta ka kërkuar të qëndrojë në shtëpinë e Arben Ahmetit në Lapllasel, pasi që këtë po ia kërkojnë fëmijët, mirëpo Ahmeti e ka kundërshtuar duke e shtyrë ku më pastaj V.A. ka kërkuar ndihmën e policisë dhe për shkak të ankthit, stresit, gjendjen e viktimës, patrulla ka kërkuar ndihmë mjekësore për të.
“Më datë 25.09.2022, në ora 18:15, është pranuar kallëzim për dhunë në fshatin Laplla Sellë, rruga Dragovacka. Në vendngjarje ka dalë patrulla si dhe polici hetues në detyrë për dhunë në familje ku sipas V. A. ka pasur konflikt me bashkëshortin. Pra sot më 25.09. 22 rreth orës 18:00 i dyshuari Arben Ahmeti, i cili në atë kohë i kishte sjellur dy fëmijët (5 dhe 6 vjeç) të cilët qëndronin tek ai nga data 23.09.22 për shkak se çifti nuk jetojnë bashkë. Në atë moment ka pasur një konflikt kur viktima/ gruaja e ka pyetur të dyshuarin të qëndrojë në shtëpi me familjen e tij për shkak se ia kanë kërkuar fëmijët të cilët në atë moment qanin për babanë e tyre, i dyshuari ka kundërshtuar duke e ofenduar verbalisht viktimën deri në momentin kur ka pasur kontakt fizik, përkatësisht duke e shtyer me duar nga ana e të dyshuarit. Për shkak të ankthit, stresit, gjendjen e viktimës, patrulla ka kërkuar ndihmë mjekësore për të”, thuhet në raportin e policisë të datës 25 shtator.
Në këtë raport gjithashtu thuhet se pas grumbullimit të provave dhe intervistimit të viktimës duke qenë se raste të ngjajshme ka ndodhur edhe më parë, me urdhër të prokurores Edina Jupola rasti është cilësuar si “Dhunë në familje” dhe gazetarit Arben Ahmeti i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh në qendrën e paraburgimit në Prishtinë.