Gjithçka që rrethon Mohamed Ihattaren është e mbuluar me mister. Lojtari i talentuar, por i pabindur i Ajax-it, vetëm 20 vjeç, pati sërish një episod të turbullt kur makina e tij, një ‘Porsche Panamera’ me vlerë 177.000 euro, u shfaq në flakë në rrugët e Utrecht.
Burimet policore pohojnë se zjarri mund të jetë i qëllimshëm. Kjo hipotezë fiton forcë duke marrë parasysh se javën e kaluar makina e vëllait të tij u dogj në Marjoleinweg të Utrecht.
Për rastin e makinës së shtrenjtë të lojtarit të Ajax-it, policia po merr deklaratat e atyre që kanë dijeni për të sqaruar se çfarë ka ndodhur. Rreth orës 3 të mëngjesit të së martës, policia gjeti një makinë të djegur në Bernadottelaan. Zjarrfikësja është dashur të shkojë menjëherë për të shuar flakët. Sipas një zëdhënësi, policia po kontrollon kamerat e sigurisë në lagjen Kanaleneiland.
Nuk dihet ende se çfarë e shkaktoi zjarrin në BMW Seria 3 të vëllait të Mo, Jassir Ihattaren, javën e kaluar, por ka dyshime të qarta se mund të jetë e njëjta gjë. Vazhdojnë hetimet edhe për zjarrin e parë. Tashmë, në verë u mësua se futbollisti i Ajax kishte në rrethin e vet persona me precedentë kriminalë që mund ta ngacmonin atë dhe familjen e tij.
Ihattaren, një nga lojtarët e rinj më premtues në Holandë, ka qenë shumë herë protagonist jashtë fushës, çka e ka vënë atë në qendër të vëmendjes. Djegia e makinës së tij sportive është e fundit në një sërë rrethanash anormale që e rrethojnë.