Tre shtetas kanë rënë në prangat e policisë në Aeroportin e Rinasit gjatë ditës së sotme.
Përmes një njoftimi, policia sqaron se dy prej tyre u arrestuan pasi tentuan kalimin e kufirit me mjete identifikuese të falsifikuara, ndërsa i treti, një shtetas anglez u arrestua pasi tentoi t’i vidhte çantën e dorës një personi.
Ndërkohë materialet u referuan në prokurori për hetime të mëtejshme.
“Në këtë kuadër, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit Xh. J., 49 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë dhe K. R., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, thuhet mes të tjerash në njoftim.
Njoftimi i policisë:
Rinas/Falë pajisjeve logjistike bashkëkohore, evidentohen dhe ndëshkohen persona që përdorin dokumente të falsifikuara, për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Procedohen penalisht 2 shtetas që tentuan të kalonin kufirin, me dokumente të falsifikuara.
Procedohet penalisht edhe një shtetas nga Anglia, pasi i vodhi çantën e dorës një shtetasi, në aeroport.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit kanë intensifikuar kontrollet, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Në këtë kuadër, nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit Xh. J., 49 vjeç, banues në Suharekë, Kosovë dhe K. R., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Gjatë përpunimit të dokumentacionit ka rezultuar se këta shtetas kishin paraqitur dokumente identifikimi të falsifikuara, për të dalë jashtë Shqipërisë. Më pas, gjatë kontrollit të imtësishëm në vijën e dytë, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë kontrollit të bagazheve të tyre, kanë gjetur dokumente të tjera të falsifikuara.
Gjithashtu, falë reagimit në kohë, shërbimet e Policisë gjetën çantën e dorës të një shtetasi, të cilën që ia kishte vjedhur një shtetas nga Anglia, në ambientet e aeroportit.
Pas denoncimit të bërë nga shtetasi Sh. T., se në ambientet e aeroportit të Rinasit i kishin vjedhur çantën e dorës, brenda së cilës kishte sendet personale, shërbimet e Policisë kanë kryer kontrolle të menjëhershme dhe si rezultat kanë identifikuar dhe kapur personin, së bashku me çantën që ai kishte vjedhur.
Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi N. E., 47 vjeç, nga Anglia, për veprën penale “Vjedhja”.
Shërbimet e Policisë Kufitare po vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe të krimeve ndërkufitare, si dhe për t’iu ofruar një shërbim sa më cilësor qyetarëve, në hyrje dhe në dalje të RSH-së.