Kryeministri Edi Rama ka reaguar për herë të parë për rastin e të riut Lear Kurti, i cili ndërroi jetë pasi u shoqërua në komisariat. Nga Shirgjani i Elbasanit, ku po zhvillon një takim me fermerë dhe blegtorë të zonës, kreu i qeverisë u shpreh policia është sjellë në mënyrën më korrekte dhe ka pezulluar tre efektivët e patrullës ndërkohë që bëhen hetimet.
Rama tha se nuk ka pasur asnjë arsye të jashtme që mund të ketë shkaktuar vdekjen e 32-vjeçarit Kurti. Ndërsa theksoi se para të ketë reagime duhet pritur ekspertiza mjeko-ligjore, kryesocialisti u shpreh po ashtu se “ata” po përpiqen ta lidhin rastin me atë të Klodian Rashës dhe rrjedhimisht të nxjerrin edhe njerëzit në rrugë.
“Kanë që dje që akuzojnë policinë se ka vrarë një djalë të ri. Ndërkohë që në mënyrën më korrekte, serioze, dinjitoze, ka pezulluar personat që të mos jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi…Është mjekësia ligjore që bën punën e vet. Nuk ka asnjë arsye që të ketë pasur arsye nga jashtë, të ketë qenë gjë e bërë me të keq. Të gjithë presim autopsinë, raportin mjeko-ligjor e me radhë. Cfarë qeniesh janë këta që u dalin njerëzve si gogolë në ekrane…E vrau policia sepse duan ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte, të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan të nxjerrin njerëzit rrugëve,” tha kryeministri Rama nga Elbasani.