Historia e  Albanës, hoqi stomakun para 6 muajsh: ‘Jetën e kam falë motrës’

Albana prej 6 muajsh është duke vuajtur nga një sëmundje e cila ka shqetësuar jo vetëm atë, por edhe njerëzit e saj të dashur. Ajo ka hequr stomakun për shkak se rezultoi me tumor malinj dhe sipas saj pasojat do kishin qenë shumë më të rënda nëse nuk do e kishte zbuluar në kohë sëmundjen.

Këtë të diel ajo ka ftuar në rubrikën “Ke një mesazh për ty” te “E Diela Shqiptare” në Tv Klan motrën e saj Ermirën, pasi sipas saj ka qenë pikërisht e motra që i ka shpëtuar jetën me kujdesin e saj.

“Kisha kohë që vuaja nga stomaku dhe mjaftohesha me qetësues. Nuk shqetësohesha të shkoja te mjeku. Kur erdha në Tiranë, Tirana është më e lodhshme. Ikja me kafe dhe cigare, se pija edhe cigare shumë. Ikja me orë të tëra pa ngrënë dhe nuk më shkonte në mendje për të ngrënë. Një ditë të bukur ky stomaku, vajti e vajti u mbush kupa. Më erdhi vreri. Motra nuk më telefononte kurrë në punë, më ka marrë në telefon. Unë i thashë vetëm të lutem mos më fol se po vdes. Ajo ka marrë direkt doktorin dhe la takim”, tha Albana duke treguar se përse ka ftuar pikërisht motrën për këtë surprizë.

Albana: Motra ime të kërkoj falje njëherë për këtë surprizë që të bëra që të solla në televizor. Po unë këtë dua ta marr thjesht si një sport për të parë përpara. Për t’i vënë poshtë të gjitha streset e mia, dhimbjet e mia, për të reflektuar për sëmundjet, për ta mposhtur dhe ti e di shumë mirë pse të kam zgjedhur ty. Unë mund të sillja fare mirë edhe mamin tim këtu që më ka dhënë jetën dhe jam e shtrenjtë për të.

Por ti ishe ajo që unë sot të kushtohem jetës. Je ti që e zbulove sëmundjen time. Ishe ti që erdhi ora dhe çasti që më çove te mjeku, se me neglizhencën time unë kushedi ku do kisha përfunduar dhe orët e mia kushedi si do kishin mbaruar. Unë e di që më ke shumë xhan, e di që je mbështetje e madhe për mua sot, dhe jo vetëm ti, por të gjithë motra e vëllezër, se ne jemi familje shumë e madhe.

Sot nuk të kam thirrur thjesht për të falenderuar, por edhe për të bërë një premtim. T’ju heq atë merakun që ju mbani. Se unë e di që ti e mban në stres. Nëse unë e kam në trup ti mban stres dyfish, se je dëshmitare e gjithë kësaj që ka ndodhur me mua. Dua t’ju bëj një premtim sot, që unë do ushqehem me vullnetin tim, do pi ujë siç thotë doktoresha për t’i bërë ballë kimiove, e di që e gjithë beteja është e gjatë, me shpresën te Zoti them se do e fitoj këtë luftë­.

Ardit Gjebrea: Ermira, e vështirë është, motra, lufta, ana psikologjike është shumë e rëndësishme. Të falenderoj shumë që erdhe se ajo ka shumë nevojë për suport. Sigurisht dashuria për motrën është ajo që është, por unë jam i sigurt që ti ke bërë edhe sakrifica nga jeta jote.

Ermira: Duke qenë më afër nga motrat e tjera thjesht e kam mbështetur shoqëruar, suportuar me ekzaminimet për të mos e lënë vetëm se ajo ka edhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Sikletin më të madh e ka pasur ajo. Unë nuk e ndiej veten se jam sforcuar apo lodhur, por më ka shqetësuar më tepër fakti që ajo neglizhon pak te pjesa e ushqyerjes. Duhet të bëjë më tepër kurajo për ta përballuar sepse beteja sapo ka filluar, ato që thonë mjekët duhet zbatuar.

Loading...