Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha për shpenzimin e miliona eurove për fluturime jashtë shtetit.
Rama ka thënë gjatë një takimi në Bulqizë, se fluturimet e punës janë bërë sipas një marrëveshjeje me Air Albania. Për udhëtimet private, Rama tha se i mbulon vetë të gjitha shpenzimet.
Rama sulmoi Ilir Metën dhe Berishën, duke i quajtur “hijena non-grata” dhe “hijena spiun”.
“Qysh prej vitit 2020, kur ne morëm presidencën e OSBE, kemi bërë një marrëveshje me Air Albania, edhe për interesin e Air Albania për promocion, për të pasur një avion për udhëtimet e punës.Të punës e theksoj, jo për udhëtime private, se unë bëj shumë pak, por të gjitha i bëj me shpenzimet e mija, të familjes, kur dalim ndonjëherë me ata të shtëpisë.
Dhe që ta dëgjoni se hijena është non-grata, llahtarë fare, hijenë që nuk shihet me sy, por është edhe non-grata. Hijenë dhe spiun, më keq akoma. Pastaj janë edhe hijena të tjera që bëjnë atë kujijsen gjithë ditën e gjithë natën nëpër ekrane”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.