Kryeministri Edi Rama është pyetur mbrëmjen e sotme, për kandidatin që socialistët do të nxjerrin për Bashkinë e Tiranës, për zgjedhjet e 14 majit. Nga përgjigja e tij, kryetari i PS la të kuptohet se Erion Veliaj do të rikandidohet.
Pas insistimit të moderatorit Sokol Balla, kryeministri tha se Erion Veliaj do të shkrijë çdo kandidat që del nga primaret e Partisë Demokratike.
“Nuk e di a është Erioni apo jo kandidat, por di që Erioni do jetë kryetar bashkie, por ça do lloj pjelle të nxjerrin pseudo primaret Erioni do e shkrijë”, u shpreh Rama.
Nëse mbetet kështu deri në fund, Erion Veliaj do të hyjë në garë për mandatin e tretë për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, si i zgjedhur i Partisë Socialiste. Pas atyre të vitit 2015, këto do të jenë zgjedhjet e radhës që Erion Veliaj do të ketë përballë një kandidat të opozitës.
Në vitin 2019, opozita nuk u fut në zgjedhjet lokale dhe për rrjedhojë socialistët nuk patën kandidatë përballë.
14 maji 2023 do të jetë sfida e radhës për ta, sigurisht nëse më parë rikonfirmohen nga Partia Socialiste, pasi në disa mbledhje të hapura për mediat Rama ka lënë të kuptohet se nuk është i kënaqur me të gjithë kryebashkiakët, kryesisht për çështje të mjedisit.