Kosovë- Dalin detaje nga raporti mjekësor pas ekzaminimit të të moshuarës që u dhunua në Pejë.
Raporti mjekësor për Minire Nurën tregon se e moshuara ka ende disa mavijosje tjera në pjesë të ndryshme të trupit dhe një djegie të shkallës së lartë në këmbë.
Shenja të dhunës në të dy duart, mavijosje në gjendje përmirësimi në shpinë e djegie të shkallës së lartë në këmbën e majtë; krejt këto shenja monstruoze u evidentuan nga mjekët e Spitalit të Pejës, gjatë kontrollit të 70 vjeçares Minire Nura, e cila deri të mërkurën ka qëndruar në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.
E moshuara, që u sulmua mizorisht nga një ish-infermiere, me përkrahje ‘morale’ e çnjerëzore të tri ish-infermiereve tjera, përpos pasojave psikologjike, po del se ka përfunduar edhe me pasoja të rënda fizike gjatë qëndrimit të saj në shtëpinë e të moshuarve në Pejë.
Gjendjen e rëndë fizike dhe shenjat e dhunës që i konstatuan mjekët pas ekzaminimit të të moshuarës, dje në Spitalin e Pejës, i ka konfirmuar edhe avokati i familjes së Minire Nura nga Gjakova, Meshar Selimaj.
“Nga ekzaminimi që i është bërë dje nga Spitali i Pejës, vërehen lëndime në shpinë dhe duar, hematoma, ndërsa sot nga familjarët është vërejt një lëndim i djegies në këmbë tek e dëmtuara.
Hematomat duken që janë të disa ditëve më parë”, ka thënë avokati Selimaj për reporterin.
Rasti ku dëshmohet ushtrimi i dhunës monstruoze ndaj të moshuarës nga Gjakova, nëna e një dëshmori të luftës, u publikua të mërkurën në rrjetet sociale. Pamjet kur ish-infermierja e qendrës në Pejë, Aurona Pelaj, e godiste 70 vjeçaren e cila dëniste nga dhuna që po përjetonte, ndërkohë që disa dy ish-infermiere tjera po e incizonin dhe u argëtonin me veprimin e koleges së tyre, çuan në arrestimin dhe paraburgosjen e tre ish-infermierëve në fjalë dhe revokimin e licencës së shtëpisë së pleqve në Pejë, i licencuar deri më sot si institucion privat.