Partia Demokratike po ‘zien’. Pas dorëheqjes së Alfred Rushajt dhe Grida Dumës nga mandati i deputetit, dy kandidatë janë tërhequr nga gara për Primaret në PD. Eleina Qirici është larguar si kandidate për bashkinë Korçë, ndërsa Aulon Kalaja ka dhënë dorëheqjen si kandidat për bashkinë e Krujës.
Këto vendime janë ndarë nga vetë Kalaja dhe Qirici të cilët përcollën mesazhin për qytetarët në rrjetet sociale.
Postimi i Qiricit
Të dashur demokratë dhe qytetarë të Korçës! Falenderoj me mirënjohje dhe respekt secilin prej jush që më ka propozuar në strukturat politike të Partisë Demokratike Dega Korç?, si kandidate për Primaret e Kryetarit të Bashkisë! Falenderoj me mirënjohje dhe respekt secilin prej jush që më keni shkruar apo telefonuar për t’ju përfaqësuar në këtë garë! Ju vlerësoj maksimalisht! Por, dua të ndaj me ju vendimin tim për të mos kandiduar për Kryetar Bashkie të Korçës. Korça DUHET tu kthehet banorëve të saj, ti jepet FUND tenderave korruptive dhe gllabërimit të pronave / mjediseve në kundërshtim me interesin e komunitetit. Referendumi lokal është domosdoshëri! Ndaj do të jemi bashkë në këtë proces për të siguruar një garë dinjitoze në primare dhe fitoren e forcës sonë politike! 12 Nëntor tek Kryeministria! Me respekt, Eleina
Postimi i Kalasë
Të dashur qytetarë të Fushë-Krujës, Krujës, Thumanës, Niklës, Bubqit dhe Cudhinit! Të dashur demokratë! Dua të falenderoj secilin prej jush që më propozoi mua si kandidat për Kryetar të Bashkisë Krujë, po ashtu për telefonantat e mesazhet tuaja. Dua të ndaj me ju vendimin që kam marë, për të mos kandiduar për kryetar Bashkie në Krujë, por duke inkurajuar primaret dhe mbështetur fushatën. Ndërkohë që vendi po lëngon dhe shqiptarët po ikin nga sytë këmbët, qeveria po sulmon dhe gjënë më të shenjtë për ne, familjen. Ndaj kauzat që janë ekzistenciale për një patriot, janë lufta kundër politikave të shpopullimit dhe mbrojtja e familjes. Prandaj, takohemi në protesta!
Procesi i primareve në Partinë Demokratike do të përfundojë brenda datës 4 dhjetor, ditë kur do të mbahen votimet. Ditën e djeshme Arjan Hoxha, kryetar i Partisë Demokratike në Kamëz shpalli kandidimin për Primaret e PD. Deri më tani janë bërë publike disa kandidime. Në Tiranë janë 5 emra: Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti dhe ish-deputetët Kujtim Gjuzi e Gert Bogdani. Asllan Dogjani prezantoi kandidaturën e tij për Primaret që do zhvillohen për Bashkinë Kamëz bashkë me Shemsi Prençin dhe Arjan Hoxhën. Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Fisnik Qosja dhe ish-kryebashkiaku i Kavajës, Isa Sakja, janë dy emrat që kanë depozituar kandidimin për Kavajën. Bardh Spahia kërkon një mandate të plotë në krye të Shkodrës. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Mimoza Hajdarmataj ka dorëzuar kandidaturën për primare për Bashkinë e Tropojës. Ditën e sotme dorëzoi kandidaturën e saj për bashkinë e Kurbinit dhe Lindita Toma.