Përleshjet shpërthyen jashtë parlamentit në Greqi, gjatë protestave për rritjen e kostove të jetesës dhe çmimeve të energjisë.
Policia hodhi gaz lotsjellës për të shpërndarë një grup manifestuesish që hodhi bomba molotov dhe gurë ndaj efektivëve që po ruanin ndërtesën teksa mijëra punonjës e pensionistë u grumbulluan atje.
Incidente pati edhe në Selanik. Protesta ishte pjesë e një greve 24-orëshe të organizuar nga sindikatat më të mëdha të punonjësve në vend për të kërkuar rritje të pagave, ndërsa inflacioni ka prekur vlerën më të lartë në 30 vite.
“Unë paguhem 900 euro në muaj. duhet të paguaj kredinë, faturat e energjisë dhe ujit dhe ajo që më mbetet nga rroga, është vetëm për mbijetesë”, tha një qytetare.
Tragetet u ankoruan në portet më të mëdha të vendit duke lënë udhëtarët në tokë, e po ashtu fluturimi i anuluan ndërsa punonjësit morën pjesë në grevën 24-orëshe. Protestës iu bashkuan edhe punonjësit e transportit publik, taksistët e mësuesit.
Kjo ishte greva e dytë kombëtare që organizohet këtë vit nga sindikatat publike e private, të cilat përfaqësojnë 2,5 milionë punonjës. “Nuk mund të përballojmë më kostot e jetesës. Nuk e përballojmë dot varfërinë dhe lodhjen. Ne jemi këtë për të luftuar dhe për të marrë përgjigje”, tha një qytetar.
Qeveria ka rritur 2 herë brenda vitit, pagën minimale e cila është aktualisht 713 euro në muaj, dhe ka premtuar ta rrisë në vitin 2023. Janë premtuar gjithashtu më shumë mbështetje financiare dhen rritje e pensioneve për të ndihmuar qytetarët të përballojnë krizën. Por sindikatat kërkojnë një rritje më të madhe të pagës minimale dhe rikthim të ligjeve të punës që u shfuqizuan gjatë viteve.