“Në mbështetje të nenit 44 të ligjit 8269/1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Guvernatorit, Këshilli Mbikëqyrës zgjodhi dhe emëroi Luljeta Minxhozi në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë” thuhet në njoftimin e BSH-së.
Minxhozi, njëherazi dhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, emërohet në postin e zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë, pas mbarimit të mandatit në këtë post të Elisabeta Gjonit.
Ndërkohë zëvendësguvernator i II i BSH-së, është Natasha Ahmetaj.
Prof. dr. Luljeta Minxhozi vjen në këtë detyrë të Bankës Qendrore, pas një eksperience të gjatë akademike në fushën e ekonomisë.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë u plotësua me të gjithë anëtarët pas votimeve në muajin dhjetor të vitit të kaluar në Kuvend. Anëtarët e rinj janë; Arben Malaj, Suela Popa, Edlira Luçi, Ritvan Bode, Artan Hoxha dhe Luljeta Minxhozi./ATSH/