57 efektivë të DVP Berat, mes tyre edhe drejtues të lartë, janë nën hetim për drogën e gjetur dy javë më parë në serat e fshatit Drenovicë. Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme policore, që konfirmojnë se 57 efektivëve të lartë ju ka mbërritur edhe njoftimi zyrtar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, e cila ka nisur hetimet për serën me kanabis të zbuluar në një zonë të ish/njësisë administrative Kutalli në bashkinë Dimal.
Mësohet se që prej ditës së sotme ka nisur marrja në pyetje e efektivëve të policisë, pasi ka dyshime të forta se kanë patur dijeni për aktivitetin kriminal dhe nuk e kanë raportuar atë. Të njëjtat burime konfirmojnë se janë nën hetim, jo vetëm drejtori i DVP Berat Edmond Tarkaj por edhe shefi i Komisariatit të Policisë Berat, Skrapar e Dimal, Shefi i Krimeve në DVP Berat, të gjithë shefat e seksioneve në DVP Berat, shefat e policisë kriminale dhe SPZ-të e zonave. Në njoftimin zyrtar që ka mbërritur personave nën hetim thuhet se do ju komunikohet në vazhdim nëse hetimi ndaj tyre do kryhet duke i pezulluar nga detyra apo duke qëndruar në detyrë, pasi siç edhe thuhet në shkresën përcjellëse ata dyshohet se kanë kryer shkelje të rënda disiplinore duke fshehur veprimtarinë kriminale.
Burime të brendshme në Prokurorinë e Rrethit Berat, ku po vijojnë hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, bëjnë me dije se droga nuk ishte mbjellë në serat e Kutallisë, por dyshohet se ishte e mbjellë në malet e Skraparit.
Të njëjtat burime konfirmojnë se në serat e Kutallisë droga kishte mbërritur vetëm për paketim dhe ambalazhim dhe se ky proces kishte vetëm 1-javë që po kryhej brenda serës. Po të njëjtat burime konfirmojnë se duke parë rrjedhën e hetimeve të deritanishme, dyshohet se kemi të bëjmë me një aktivitet të strukturuar kriminal dhe pritet që të merret edhe vendimi për kalimin e çështjes për hetim SPAK./Shqiperiaime