Kryeministri Edi Rama ka reaguar për situatën e përmbytjeve në vend. Në një reagim në rrjetet sociale Rama ka folur dhe për lajmet e publikuara në media lidhur me importin e energjisë elektrike. Kreu i qeverisë sqaron se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor. Kjo sepse, sipas Ramës, nga të gjitha parashikimet e motit, situata e rreshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 nëntor. Kryqeveritari shtoi se nëse nuk do të ishte importuar do rrezikohej furnizimi normal me energji.
Rama shtoi se sasia e reshjeve rezultoi me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës.
Pjesë nga fjala e Ramës
“Prurja më e madhe e dizinformimit vjen lidhur me importin e energjisë. E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor. Nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike. Duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji. Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës. – 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit! Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin. Vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek.
Në këto kushte, qysh në datën 19 Nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse. Duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave. Aktualisht punojnë të 9 agregatët e Komanit dhe Vaut të Dejës. Sërish shkarkohet për shkak të prurjeve të papërballueshme. Duke shkarkuar në mënyrë të kontrolluar, KESH ka siguruar që efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje! Përkundrazi, e ka zhvendosur me disa orë efektin e Drinit në të gjithë kombinimin e prurjeve në këtë zonë. (ku shkarkon Buna, Kiri, Gjadri, Moraça etj). Kjo zhvendosje me disa orë e efektit të lumit Drin ka bërë të mundur uljen e pikut të prurjeve maksimale në këtë zonë. Duke e ulur nivelin maksimal të ujit.”, shkruan ndër të tjera Rama.