Gjykata e Posaçme ka lënë në masën e sigurisë ‘arrest me burg’ 10 personat e arrestuar për laboratorin e kokainës në Fier.
Viktor Çervanaku, Zenel Çervanaku, Denilson Çervanaku, Enxhi Ferhati, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (Kodra), Julian Malaj, Redion Meshi, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona do të qëndrojnë në qeli gjatë hetimeve.
Personi që e ka porositur plehun organik nga Kolumbia, Zenel Çervenaku, ka pretenduar se nuk ka pasur asnjë dijeni për sasinë e lëndës narkotike nëpër thasë. Sipas tij, ai ka bërë porosinë vetëm për pleh organik. Edhe personat e tjerë kanë patur qëndrim mohues para gjykatës dhe nuk kanë pretenduar se nuk kanë asnjë dijeni për aktivitet të paligjshëm.
Në seancë avokatët mbrojtës kanë pretenduar se në banesën ku janë gjetur thasët e plehut, nuk kishte të bënte me laborator teksa kanë thënë se nuk kanë akt-ekspertim që vërteton se brenda plehut ka kokainë.
Përveç 10 personave të arrestuar, në kërkim janë edhe disa persona të tjerë.
Si u zbulua laboratori i kokainës në Frakull të Fierit?
Fillimisht lajmi u dha në mediat malajzeze pas njoftimit se në Portin e Tivarit ishte kapur një sasi kokainë. Më pas u bë e qartë se ky ishte një mega-operacion i koordinuar mes DEA-s amerikane, SPAK dhe Policisë malajzeze që pas 3 muajsh hetime zbuluan laboratorin e drogës në Fier. Laboratori është zbuluar në banesën e ish-kryeplakut të fshatit Frakull, Viktor Çervanaku, i cili jeton në Tiranë.
Në pranga janë vënë: Zenel Cervanaku, i cili është edhe porositësi i kësaj sasie kokaine; Viktor Çervanaku, ish-kryetari i komunës së Frakullit, djali i tij së bashku me të fejuarën, Denilson Çervenaku dhe Enxhi Ferhati; Klajdi Vrioni (Kodra), 32 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për plagosje të rëndë; Redion Meshi, 22 vjeç; Marildo Rona, Nikolin Gjolena, Julian Malaj dhe Bledar Matoshi. Në kërkim është shpallur kolumbiani Zaimir Rodrigez, i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu.