60 vjetori i Teatrit ‘PETRO MARKO’ (foto)

U festua 60 vjetori i Teatrit Petro Marko te Vlores, i cili u rehabilitua nga gjendja e amortizuar qe ishte, fale kembenguljes se Kryetarit te Bashkise z. Dritan Leli, i cili per 20 dite dhe nete me radhe braktisi zyren dhe u xhvendos ne teater duke drejtuar, udhezuar dhe mbikqyrur te gjitha punimet, si nje sfide me kohen.

Dhane kontributin e tyre disa biznese te qytetit dhe sot Teatri Petro Marko ka nje skene dhe nje salle komode.

Merrnin pjese personalitete te kultures ne qytet, aktor nder vite, artedashes te shumte, regjisor skenograf e muzikant.

Mbremja u moderua nga regjizori Roland Minga dhe aktori Artan Islami. U ngjiten ne skene disa nga aktoret me te njohur te ketij teatri si, Nderi i Kombit Bujar Asqeriu, Kristaq Skrami, Albert Minga, Leka Bungo, Lavdie Bisha, Resmie Ruci, Kastriot Collaku, Ilirjan Ali, Vladimir Abili, Artur Dhamo, dramaturgu i njohur Bashkim Kozeli, etj. Takimin e hapi Drejtori Teatrit Petro Marko Sokol Toto.

Pershendeten kryetari i bashkise se Vlores z. Dritan Leli. Pershendeten mbremjen jubilare me kenge Artur Dhamo, Viktor Tahiraj, Kastriot Tusha dhe Josif Gjipali.

Ne fund kryebashkiaku Drital Leli vleresoi disa nga aktoret dhe Punonjesit e teatrit me titullin, Mirenjohja e Qytetit te Vlores. Mbi fasaden e Teatrit ishte shpalosur nje flamur gjigant ne vigjilje te 110 vjetorit te Pavaresise. Kryebashkiaku Leli u deklaroi te pranishmeve se Bashkia e Vlores merr persiper kthimin e varrit te Petro Markos ne Dhermi te Himares ne varr monumental!
Genc demiraj
Mbrëmë Teatri “Petro Marko” festoi 60-vjetorin e krijimit…!
Si kurrë më parë aty u festua, duke u bërë bashkë shumë gëzime, ditëlindja, festa e Pavarësisë dhe rikonstruksioni i shtëpisë së artistëve.
Mbrëmja “Galá” ishte ajo që i kulmoi të gjitha, dhe aty pastaj folën artistët me gjuhën e tyre, të gjithë së bashku, edhe të sotmit edhe të djeshmit si edhe ata që e krijuan, kolegët e pavdekshëm…!
I thirrëm mrekullisht edhe me gjuhen e shpirtit, sa për ti zbritur po shpirtërisht për fare pak çaste në tempullin e tyre…!
Dhe ata erdhën me zërin e pasionin e artistëve të rinj, erdhën me kostumet, veshjet, personazhet, rolet si dhe me imazhet e tyre të pavdekshme…!
Mbrëmë u fol për gjithëshka, edhe për ribërjen konstruktive të
ndërtesës, edhe për ringritjen sinjifikative të mega flamurit, pra u festua me plot kuptimin e fjalës edhe artistikisht, edhe simbolikisht, edhe shpirtërisht…!
Dritan Leli ishte sfiduesi i përvetshëm, i gjithë kësaj maratone 20 ditore rivitalizuese ndaj godinës së Teatrit, mbështetur fuqishëm edhe nga biznesmenët lokalë…! Sfidues ndaj kohës së shkurtër, ndaj mosbesimit njerëzor, ndaj lodhjes, stresit, pesimizmit, ngritjes së moralit, pagjumësisë gjer tek suksesi i mbrëmshëm ! Ndaj mbrëmë e falenderuan të gjithë artistët dhe publiku i pranishëm duke e vlerësuar restaurimin e Teatrit, si dhuratën më të bukur të ditëlindjes se 60-të…!
Së fundmi, me gjuhën e penës sime si libretist e skenarist i spektaklit të mbrëmshëm, u përmendën dhe u falenderuan nga moderatorët pothuaj të gjithë artistët e skenës që nga korifejtë e gjer tek më të rinjtë.
Por sot falenderim të madh dua t’ua bëj artistëve të pas skenës, atyre që qëndruan në hije me qetësi e profesionalizëm, të vëmendshëm e të palodhur: Evansin me gjithë çunat e Enea Electroniks, Tur Agarin, Saimir Sadikajn, Altinin, Lisandrin, Nerin, Stefanin, Arjanin, Pëllumbin, Petraqin, Klotildën, Xhulin, Rein e ledwall-it, çunat dhe gocat e teatrit të kukullave me Ed Ismailin në krye, pra të gjithë ata që e shkëlqyen atë skenë nga prapavija e saj !
Anila Toto
60 VJETORI i TEATRIT “PETRO MARKO
Dje Teatri Petro Marko kishte festë! Festën e 60 viteve jetë, 60 viteve shndërruar në legjendë të ngritur mbi talentin, punën e artistëve, pasionin, temperamentin krijues dhe gjithë historikun dhe personazhet që mban mbi supet e tij!
Drejtori i Teatrit të qytetit z Sokol Toto me fjalën e tij hyrëse, në një atmosferë plot emocion dhe artistike falenderoi personazhet që kanë dhënë kontributin e tyre realizimin e këtij investimi dhe iniciative të bukur!
Një spektakël i vërtetë i ndërtuar mbi historinë e Teatrit të Vlorës, emrave të personazheve, kohëve që teatri mban nëpër themelet e deri tek çatia, qëndrimin dhe mbijetesën e tij si një kështjellë e fortë nëpër kohë si një legjendë në mes të qytetit pa u cënuar nga asnjë stuhi. Duket sikur thotë: “Jam ende këtu!! Ju pres!”
Sepse Teatri i përket popullit.
Sepse Teatri i përket artistëve që nuk bëhen kurrë të pasur, sepse pasuria e tyre është talenti, pasioni dhe puna e vepra e tyre e pavdekshme.
Sepse teatri i përket qytetit. Prandaj…
Një rikonstruksion i konceptuar në mënyrë krejt ndryshe, mikpritës e ftues, i realizuar në kohë rekord, 20 ditore e punë me përqendrim të lartë solli një atmosferë qytetare, moderne, artistike!
Të dukej se nën një shandan madhështor do të ndizeshin dritat e një epoke të re të artit në qytet. Një formë tjetër, një mënyrë tjetër konceptimi pa ndryshuar thelbin dhe qëndrueshmërinë e Teatrit.
Në spektaklin e hapjes u përmendën emrat e artistëve që kanë kontribuar në jetën e Teatrit apo që kontribuojnë edhe sot, por dhe të atyre që nuk janë më mes nesh, por janë veprat e tyre dhe gjurmët në kohë. Është shpirti I tyre!
Krijimi i një atmosfere duke sjellë mes nesh emrat dhe shpirtrat e tyre krijoi një atmosferë hyjnore artistikisht të gjetur dhe emocionale, vlerësuese dhe ekzistenciale.
Teatri si tempulli i Artit mbledh miqtë e tij. Sigurisht nuk është e lehtë të përjetohen emocione të tilla.
Duket sikur qyteti priste një surprizë, diçka ndryshe, që s’ka lidhje me shumë faktorë që lëndojnë apo pengojnë lumturinë tonë në jetën e përditshme. Kjo monotoni e gjatë e kish lënduar qytetin e ndoshta priste një dritëz apo pikënisje drejt diçkaje që rilind shpresën se diçka mund të ndryshojë nëse dikush që ka forcën, dëshirën dhe fuqinë e duhur për ta realizuar.
Pyetja ishte se përse nuk u bë më parë?
Duke qënë se përgjigjet i dimë tashmë, thjesht t’i gëzohemi faktit që një ndryshim i tillë tregon se kur ke dëshirën e mirë ose impenjimin e duhur rezultatet arrihen! Nuk qënka e pamundur!
Mesa duket z.Dritan Leli u kujtua pak vonë, por u kujtua. Nuk do të them më shumë në lidhje me këtë sepse nuk dua të prish emocionet që përjetova dje, as festën e Teatrit e cila mban brenda vetes emra vërtetë shumë të mëdhenj.
Mund të ketë ide dhe konceptime të tjera, por unë po tregoj atë ç’ka pashë e ç’mendoj duke u nisur nga dëshira për gjëra të reja që ndryshojnë faqen e një gjendjeje të vazhdueshme të ngarkuar e të lodhshme. Kemi nevojë për ajër…
Anila Toto

Loading...