Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla gjatë një interviste televizive tha se Presidenti i vendit, Ilir Meta, ka shkelur padashur Kushtetutën.
Sipas Ballës, Sandër Lleshi, personi që Kryeministri Edi Rama propozoi për Ministër të Brendshëm, për të zëvendësuar Fatmir Xhafajn, të dorëhequr para pak ditësh nga ky pozicion, i plotëson të gjitha kushtet kushtetuese për ta marrë përsipër këtë detyrë. Balla, nënvizon se në këtë sens, “Presidenti ka shkelur kushtetutën”.
“Sipas Kushtetutës, ministri duhet të plotësojë kushtet që plotëson deputeti. Sandër Lleshi i plotëson të gjitha kriteret kushtetuese, për të qenë dhe deputet dhe ministër. Neni Kushtetues është i qartë për këtë pjesë dhe unë s’dua të bëjë debat me Presidentin e Republikës. Ajo që ka bërë Kryeministri pas këtij refuzimi të pashpjegueshëm, është rruga më e mirë për të ruajtur urat e komunikimit mes palëve, në kuadër të një marrëdhënie ndërinstitucionale. Për mua e rëndësishme është që nesër në ora 10:00 do të mblidhet Kuvendi dhe do vijojmë në rrugë ligjore të emërojmë z. Lleshi zv/ministër të Brendshëm dhe do të marrë kompetencat e ministrit të Brendshëm”, – tha Balla.
“Ne Shqiptarët duam të krijojmë konflikt edhe aty ku s’duhet. Unë nuk e shoh si konflikt institucional. Ndoshta Presidenti kërkon më shumë kohë dhe për të tejkaluar këtë shkelje pa dashje të Kushtetutës, ne kemi gjetur një zgjedhje…”, – tha Balla.
“Do kërkoni in-pichment për Presidentin? Personalisht flas e nuk më shkon ndërmend të hap një debat të tillë. Ne jemi sot në një komunikim intensiv me Presidentin e Republikës. Ne jemi në pritje që Presidenti ta rimarrë dhe njëherë e të shoh javën e ardhshme mundësinë për ta rivlerësuar këtë propozim të Kryeministrit”, – tha Balla.
Lidhur me afatin, kreu i Grupit Kuvendorë të PS, u shpreh se Kushtetuta parashikon dhe rastet kur tejkalohet afati, duke dhënë hapësira për të rifutur në rrugë ligjore vendimin e tij.
“Edhe afati shtatëditor ka rrugëdalje. Për mua e rëndësishme është që në ditët në vijim z. Lleshi, siç na informoi Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar, që do të emërohet në detyrën e zv/ministrit, duke iu dhënë atributet dhe kompetencat e ministrit. Është një pikë që lejohet në Kushtetutë. Dhe pas kësaj, urojmë dhe shpresojmë që edhe Presidenti të marrë kohën e duhur dhe të rivlerësojë vendimin e tij”, – përfundoi Balla. /atsh