Vendoset plisi gjigand në qendër të Prishtinës

Me rastin e shënimit të 110-vjetorit të Ditës së Flamurit Kombëtar është mbajtur në sheshet e Prishtinës për herë të parë “Festivali i Plisit”.


kuadër të këtij festivali janë zhvilluar dy aktivitete. Një plis i bardhë mbi dy metra i gjatë është vendosur si monument në qendër të Prishtinës, derisa për qytetarët janë shpërndarë 500 plisa falas, nga katër llojet e tyre.
Alban Zeka, organizator i Festivalit të Plisit në Prishtinë, tha për AA se ky festival ka lindur me qëllim që të lidhen të rinjtë me trashëgiminë e tyre kulturore. Ai tha se duke pasur parasysh që plisi është simboli më unik identifikues i shqiptarëve, kanë vendosur që ta themelojnë Festivalin e Plisit.

“Synimi ynë është që brenda 365 ditëve, një ditë, të gjithë qytetarët, pavarësisht kombit, fesë, gjuhës, ta vënë plisin në shenjë të identitetit tonë kombëtar”, theksoi Zeka.

Daors Hoxha, skulptori që e ka bërë plisin mbi dy metra të vendosur në Prishtinë, tha se kanë punuar për ta bërë atë gjashtë ditë dhe gjashtë netë nga dy persona.
“Si edicion i parë i festivalit ka qenë qëllimi që gjithë qytetarët që vijnë në sheshin Skënderbeu të nënshkruhen dhe ta lënë nënshkrimin e tyre në plis sepse ai do të ruhet. Për vitin e ardhshëm mendohet një projekt pak më gjigant, me hapësirë që të shtjellohet më gjerësisht si temë”, tha Hoxha për AA, duke shtuar se plisi do të ruhet në arkivat e Prishtinës.

Krahas Festivalit të Plisit, për 28 Nëntor, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka organizuar disa manifestime kulturore, derisa në sheshet e kryeqytetit janë vendosur flamujt kombëtarë dhe ata shtetërorë.

28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, në Kosovë festohet si Dita e Flamurit kombëtar por edhe si ditëlindja e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari. Presidentja kosovare Vjosa Osmani dhe krerë të institucioneve në vend kanë bërë homazhe te varret e familjes Jashari në Prekaz, ndërsa në mbrëmje kryeministri Albin Kurti organizon pritjen e personaliteteve të ndryshme.

Loading...