Xhubleta shqiptare në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, nën mbrojtjen e UNESCO-s

Xhubleta shqiptare është pjesë e UNESCO-s. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës shqiptare u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, që u zhvillua në Marok.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh në rrjete sociale se ky lajm i jashtëzakonshëm është një dhuratë për 110-vjetorin e Pavarësisë. “Xhubleta në UNESCO! Një lajm i jashtëzakonshëm për trashëgiminë tonë kulturore, si dhuratë në 110-vjetorin e Pavarësisë! Pas një pune të gjatë, plot përkushtim të një grupi të madh bashkëpunëtorësh, dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u pranua në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Xhubleta shqiptare, e lashtë 4 mijë vjet, tashmë është pasuri e gjithë njerëzimit!”, bën me dije ministrja Elva Margariti në rrjetet sociale. Për këtë lajm reaguan dhe studiues të ndryshëm. Akademiku Vasil S. Tole e quan një arritje të rëndësishme. “Xhubleta në UNESCO! Kostumi popullor i xhubletës malësore dhe dija artizanale e prodhimit të saj u pranuan në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të njerëzimit, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Përgëzime të gjithë atyre që e mundësuan këtë arritje të rëndësishme!”, shkruan akademiku Tole në rrjete sociale.

Xhubleta në listën e pasurive botërore

Xhubleta, veshje tipike e zonave të veriut, cilësohet si një prej kostumeve më të rralla popullore. Xhubleta shtohet në listën e pasurive botërore që mbrohen nga UNESCO si Butrinti, Gjirokastra, Berati dhe isopolifonia. Xhubleta është një veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, në Malësinë e Madhe, Rugovë, Dukagjin dhe trevat shqiptare në Malin e Zi.

Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vijën e valëzuar përfund, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhet nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, të vënë horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjerë. Në shek. XVIII, xhubleta bëhej me shumë ngjyra, por ngjyrat që kanë arritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholine, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.

Në sesionin e 32-të të saj, Konferenca e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsimin shkencën dhe kulturën, UNESCO vendosi që të bëjë publike konventën e saj më të re: “Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale”. Qëllimi i kësaj konvente është ruajtja e trashëgimisë kulturore jomateriale; respektimi i trashëgimisë kulturore jomateriale të bashkësive, të grupeve dhe të individëve të prekur; sensibilizimi në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për rëndësinë e trashëgimisë kulturore jomateriale dhe të vlerësimit të saj të ndërsjellë; bashkëpunimi dhe asistenca ndërkombëtare.

Loading...