Shtatë vjet pas vrasjes së Donjeta Pajazitajt nga një kushëri i saj, në bjeshkët e Strellcit në Komunën e Deçanit, vëllai i saj, Shkëlqimi, rrëfen se si është të jetosh me dhimbje – kur ëndrrat e ëmbla se Donjeta është ende e gjallë sfidohen nga realiteti i hidhur, me të cilin familjarët përballen kudo, nga shtëpia deri te sallat gjyqësore.
Më 9 nëntor të vitit 2015, në ato rrugë të fshatit Strellc filloi edhe makthi i familjes Pajazitaj. Sipas Prokurorisë së Kosovës, derisa Donjeta 24-vjeçare po shkonte atë ditë në punë, i akuzuari për vrasjen e saj, Naser Pajazitaj, e kishte marrë në veturën e tij dhe e kishte dërguar te “Kroi i lajthisë” në bjeshkët e Strellcit, ku e kishte vrarë me dy plumba në kokë. Vrasja e saj dhe e shumë grave të tjera nga familjarë të tyre është rikthyer në vëmendjen e publikut pas vrasjes së edhe një gruaje tjetër në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, më 30 nëntor. Viktima, 35 vjeçe, ishte shtatzënë, ndërsa i dyshuari për vrasjen – bashkëshorti i saj – vrau veten. Edhe pse kanë kaluar shtatë vjet nga vrasja e Donjetës, Shkëlqimi – që me krenari tregon se në familjen e tij ai ka pasur më së shumti ngjashmëri fizike me të – e ka të vështirë të mësohet me mungesën e motrës. “Zgjohem në mëngjes me atë mendimin se është ende e gjallë dhe zgjohem me atë mendimin se duhet të ngrihem e ta përcjell atë për ta dërguar deri në punë”, rrëfen 29-vjeçari, i cili dhimbjen e ndan bashkë me vëllain dhe motrën e tij, Shkumbinin dhe Vonesën – të dy më të vegjël se ai.
Shkëlqimi thotë se mbrëmjeve e ndien instinktivisht nevojën për t’u nisur deri te stacioni, ku zakonisht shkonte për ta marrë Donjetën, e cila kthehej nga puna e saj në një dyqan ushqimor. Darkat në sofrën e familjes Pajazitaj mbeten nën hijen e mungesës së Donjetës tash e shtatë vjet. Mungesa e saj është veçanërisht e rëndë për familjen gjatë festave dhe rasteve kur grumbullohen të gjithë të afërmit.
Shkëlqimi thotë se vetëm ai e di se si ndihet në këto raste dhe kurdo që takon shoqet e Donjetës në rrugë. Por, “po u dashka të pajtohesh… Qenka e vërtetë se njeriu është më i fortë se guri”, thotë ai.
“Nuk është më ai disponimi në familjen tonë, por mundohemi t’ia largojmë njëri-tjetrit me ndonjë të qeshur apo ndonjë shaka. Ne e dimë se çka përjetojmë, njëri-tjetrit nuk ia shprehim, por në fytyrën tonë si familjarë e dimë”, thotë Shkëlqimi.
Familja e Donjetës ngushëllohet nga fotografitë e shumta të saj. Ajo posedon edhe një video-incizim të mbrëmjes së maturës të Donjetës. Ai incizim e ka tunduar Shkëlqimin gjatë shtatë vjetëve të fundit, mirëpo nuk e ka gjetur asnjëherë forcën për ta parë.
“Kur mbetem nganjëherë vetëm ose bëj diçka, them hajt ta lëshoj e ta këqyr, por aq më kap një siklet, nuk mundem as ta lëshoj”, tregon ai. Përderisa e gjithë familja e ka pasur të vështirë të mësohet me realitetin e ri në shtëpi, Shkëlqimi thotë se nëna e tij, Lumnija, “është shkatërruar”.
Edhe problemet e saj shëndetësore, thotë ai, vijnë si pasojë e nervozizmit që ia ka sjellë vrasja e fëmijës së saj të parë. Shkëlqimi tregon se e ëma e fundoste vazhdimisht veten në dhimbje, duke parë një fotografi të madhe të Donjetës që familja e kishte vendosur në dhomën e ndenjes.
“Sa herë që hyja në sallon, e shihja mamin duke e parë fotografinë, duke vuajtur. Atë fotografi… më është dashur të bëhem sikur po e largoj [për ta fshirë] e po më rrëshqet nga dora, për ta thyer. Ai moment më është dukur sikur të ma ngulnin thikën në zemër”, kujton Shkëlqimi. Në aktakuzën e vitit 2017 të Prokurorisë së Kosovës thuhet se Naser Pajazitaj e kishte mbuluar të ndjerën me drurë pasi e kishte vrarë dhe se kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Trupi i saj ishte gjetur më 17 dhjetor të vitit 2015. Gjatë pesë javëve dhe katër ditëve që nga zhdukja e Donjetës e deri te gjetja e trupit, familja e saj ishte përballur disa herë me të akuzuarin për vrasjen e saj, që ishte kushëri i familjes.
Vëllai i Donjetës, dy vjet më i vogël se ajo, thotë se i akuzuari kishte shkuar në shtëpinë e tyre gati çdo të dytën ditë dhe i kishte pyetur nëse është zbuluar ndonjë gjë për rastin. Kjo e ka lënë familjen e së ndjerës edhe me një dëshirë: të zbulohet nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë dhe se kush janë ata. Në aktakuzën e vitit 2017 të Prokurorisë së Kosovës thuhet se Naser Pajazitaj e kishte mbuluar të ndjerën me drurë pasi e kishte vrarë dhe se kishte ikur nga vendi i ngjarjes. Trupi i saj ishte gjetur më 17 dhjetor të vitit 2015. Gjatë pesë javëve dhe katër ditëve që nga zhdukja e Donjetës e deri te gjetja e trupit, familja e saj ishte përballur disa herë me të akuzuarin për vrasjen e saj, që ishte kushëri i familjes.
“Dëshira e madhe po mbetet mister, për krejt jetën duket se do të mbetet mister… të mos mundemi t’i zbulojmë bashkëpunëtorët e tij, sepse ndoshta ka persona që janë të implikuar në këtë punë dhe ne kemi ende kontakt me ta, nuk e dimë… kjo të vret më së shumti”, thotë Shkëlqimi.
I akuzuari për vrasjen e Donjetës fillimisht ishte liruar nga Gjykata Themelore në Pejë në vitin 2018, në mungesë të provave. Por, pasi ky vendim ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, Naser Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm. Në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte kundërshtuar të dyja vendimet e Gjykatës Themelore të Pejës dhe në nëntor të këtij viti, Gjykata e Apelit mori vendim t’ia ulë dënimin në 35 vjet burgim. Kohëzgjatja e këtij procesi është shndërruar në barrë shtesë për dhimbjet e familjes së Donjetës.
“Sa mendojmë që po përfundon, ose po kthehet në rigjykim, ose po anulohen vendimet. Kjo po është shumë e rëndë. Nuk po mund të pajtohesh. Vetëm inshallah, nëse jo nga drejtësia, dënimin prej Zotit ndonjëherë e merr”, shprehet Shkëlqimi.
Ai thotë se dhimbjes që ndjen familja, i shtohet edhe mllefi kur shohin se edhe gra të tjera në Kosovë po vriten nga familjarët e tyre. Pesëdhjetë raste të tilla janë raportuar në Kosovë që nga viti 2010.
Pesëdhjetë gra të vrara në 12 vjet
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna. Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë. /REL