80 vite nga themelimi i Çetës Plakë në Gjorm!

80 vite nga themelimi i Çetës Plakë në Gjorm! 🇦🇱
Në vendin e quajtur Rrepet e Vrizit në Gjorm, më 4 dhjetor 1942 mori jetë e para çetë në Qarkun e Vlorës, Çeta Plakë!
Kjo çetë që udhëhoqi Epopenë legjendare të Luftës së Gjormit kishte komandant Neki Hoxhën dhe komisar Qazim Çakërrin.
Sot u mblodhëm në Gjorm për të përkujtuar dhe nderuar veprimtarinë heroike të Çetës Plakë, me një kontribut të shquar gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Pata kënaqësinë të mbaj fjalën e rastit, të cilën po e publikoj të plotë në vijim. 📌
FJALIMI PËR 80-VJETORIN E “ÇETËS PLAKË” TË GJORMIT
Të nderuar pasardhës të dëshmorëve, veteranëve dhe luftëtarëve patriotë,
Motra dhe vëllezër.
Pak ditë më parë, Vlora dhe Shqipëria festoi 110-vjetorin e Pavarësisë së vendit.
Më 28 nëntor 1912, burri i shtetit Ismail Qemali, me përbuzje ndaj robërisë dhe me idealin e paqes, bëri bashkë, Luigj Gurakuqin me Zyhdi Ohrin, Mit’hat Frashërin me Bedri Pejanin, Dom Nikollë Kaçorrin me Murat Toptanin.
Jo më kot i citova këta emra.
Në pamundësi për t’i përmendur të gjithë, i mora ata si shembull për të treguar që Shpallja e Pavarësisë, ishte një akt që e tejkalonte ndarjen gegë e toskë, myslimanë e të krishterë, të rinj e të vjetër.
Të gjithë këta burra trima, patën edhe mençurinë për të kuptuar se vetëm duke tejkaluar çdo ndasi e dallim mes tyre, mund të përmbushnin ëndrrën shekullore të shqiptarëve për liri e pavarësi.
Kjo ndërgjegje e lartë kombëtare e ka shoqëruar ndër breza popullin tonë.
Po kështu edhe Gjormi, i ka të ngulitura këto cilësi dhe të trashëguara brez pas brezi.
Të dashur pjesëmarrës,
Në Luftën e Dytë Botërore, populli ynë u bashkua rreth vlerave të antifashizmit, vlera të cilat qëndrojnë edhe sot në themel të Shqipërisë Demokratike por edhe të qytetërimit perëndimor.
Këto vlera, i përqafuan ndër të parët banorët e Gjormit dhe krahinës së Mesaplikut, të cilët refuzuan të jetonin nën zgjedhën e pushtuesit.
Gjormiotët ishin ndër të parët burra e gra, që rrokën armët dhe me trimëri e vetëmohim luftuan për lirinë e Shqipërisë.
Këtë sakrificë, duke dhënë apo rrezikuar jetën, mund ta bëjnë vetëm ata që atdhedashurinë e kanë të ngulur thellë në genet e tyre.
Dhe dashuria e Gjormit për Shqipërinë, është e lashtë po aq sa ky fshat e kjo krahinë e lavdishme.
Historia tregon se, që në fillim të viteve ’40, populli i krahinës tonë, është bashkuar përtej çdo dallimi ideologjik, për të ndezur frymën atdhetare dhe për të organizuar luftën ndaj pushtuesit fashist.
Prandaj, 4 dhjetori i vitit 1942, nuk ishte një episod i rastësishëm apo fatlum.
Themelimi i Çetës Plakë në Gjorm 80 vite më parë, çeta e parë partizane e Vlorës, erdhi si rezultat se rezistenca popullore e cila kishte 3 vite që kish nisur, kërkonte një organizim modern të formacioneve luftarake.
Themelimi i saj erdhi gjithashtu si rezultat se Sadik Premtja, bir i fshatit Gjorm, ishte nga të parët të rinj aktivë antifashistë në Shqipëri.
Çeta plakë me komandant Neki Hoxhën dhe komisar Qazim Çakërrin, e kish aq të madhe etjen për liri, sa po atë mbrëmje ajo bëri aksionin e parë, duke i bërë pritë autokolonës fashiste.
Në kujtimet e tij, një i ri i atëhershëm, Rexhep Halilaj kujton se si komandanti Neki Hoxha, pasi bëri organizimin e shokëve, qëlloi i pari mbi autokolonën fashiste mbi Urën e Gjormit.
Ja ç’thotë ai:
“Mbi makinat u derdhën predha mitralozash, bomba e pushkë. Mitralozi ‘Breda’ nuk kish të pushuar. Edhe forcat armike iu përgjigjën zjarrit, por dëmtimet i patën të mëdha. Pas 2 orëve lufta u ndërpre. U kapën robër 62 armiq. Gjatë natës, burra, gra e fëmijë transportuan municionin që gjendej në makina”.
Më 26 dhjetor 1942 Çeta Plakë shpartalloi batalionin e artilierisë italiane dhe dogji depon më të madhe të municioneve në Radhimë.
Rezistenca e Gjormit dhe e gjithë Vlorës i irritoi fashistët.
Ministria e Punëve të Brendshme deklaronte asokohe:
“Nga tërë Shqipëria, Vlora mban rekordin e turbullirave”.
Kulmin Çeta Plakë e arriti në fund të dhjetorit 1942 dhe ditët e para të janarit 1943.
Me trimëri dhe sakrificë, u arrit në shpartallimin e forcave mercenare, të udhëhequra nga kolonel Klementi, komandanti italian i garnizonit të Shkodrës.
Ishte një betejë e ashpër kundër forcave të blinduara Italiane.
Në këtë betejë luftuan së bashku, partizanë, popull i gjithë krahinës, por dhe nacionalistë si çeta e Hysni Lepenicës.
Aty u kryen luftime të rrepta dhe kjo u quajt EPOPEJA E LUFTËS SË GJORMIT, ku ranë heroikisht në fushën e betejës Beqir Selimi, Bako Tafili etj.
Ndaj populli i këndon:
Nga vullnetarët u vranë,
Trimat me burrëri,
Në Tërbaç vate haberi,
U vra Beqir Selimi.
Nga populli dhe nga çeta,
Ranë trimat për liri,
Drejtues në Çetën Plakë,
Në Gjorm Bako Tafili.
Kjo luftë legjendare,
Forcën e lirisë tregon.
Vullnetarë dhe Çeta Plakë,
Mbi armikun shkëmb qëndron.
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Mund të flisja gjatë për heroizmin e Çetës Plakë dhe lavdinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
Por fjalët e mia nuk do të mund ta përshkruanin gjithë historinë e saj.
Historia e Gjormit në periudhën e Luftës Nacional-Çlirimtare, është sa e lavdishme aq edhe e dhimbshme.
Megjithatë, unë jam i bindur se lufta e lavdishme e Gjormit nuk është shkruar ende siç duhet, ndaj, disa të vërteta duhen thënë.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se në momente të caktuara, lufta e drejtë e popullit për liri është shoqëruar me episode të errëta, nga individë të caktuar, që për arsye herë të qarta e herë të paqarta, kanë ndikuar në përçarje dhe jo në bashkim.
Dhe në rast se do të shprehja mendimin tim, do të thosha se në Gjorm u mpleksën së bashku me dashurinë e popullit të Gjormit për lirinë e vendit, edhe interesa të ngushta për pushtet.
Dhe kjo ndodhi pikërisht në një situatë lufte, ku ata që ishin faktorë dhe aktorë të asaj historie, nuk kishin në dorë penë por kishin pushkë.
Të dashur vëllezër!
Unë vij nga një familje ku të parët e mi kanë marrë pjesë me armë në dorë në Luftën Nacional-Çlirimtare.
Por edhe historia e familjes time, ka një të përbashkët me historinë e Gjormit.
Edhe pse dy xhaxhallarët e mi ishin partizanë, kunati i tyre, burri i hallës time, partizani Faslli Kasaj nga Armeni, u pushkatua padrejtësisht nga partizanët në Ramicë, gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare.
E tregova këtë ngjarje të familjes time sepse dua të tregoj që historinë e Gjormit e ndjej brenda meje, aq sa edhe e shpreh me fjalë, por gabimet e luftës familja jonë ia ka lënë të shkuarës.
Unë nuk jam historian.
Sot jam këtu si një politikan, por jam edhe bir i kësaj zone dhe për shumë arsye që më lidhin me Gjormin dhe krahinën, më takon të jem realist.
Kam qenë dhe jam gjithmonë kundër, që politika asnjëherë nuk duhet ta shkruajë historinë për interesa të saj, duke e ngjyer penën me gjakun e atyre patriotëve shqiptarë të kujtdolloj bindjeje politike, të cilët dhanë jetën për idealin e lartë të lirisë së vendit.
Gjithsesi, unë jam i mendimit se historinë e vërtetë të Gjormit duhet ta bëjnë historianët dhe vetë gjormiotët, jo politikanët, të cilët siç u shpreh më lartë dhe siç e ka treguar historia, e kanë përdorur atë për interesa të tyre.
Pavarësisht se për Çetën Plakë dhe luftën e Gjormit ka patur interpretime apo këndvështrime të ndryshme në histori, të gjitha idetë bashkohen në një pikë:
Në Gjorm dhe në gjithë zonën e Labërisë, ëndrra e luftëtarëve, si e partizanëve po ashtu e nacionalistëve, ka qenë Shqipëria e lirë dhe e pavarur.
Ata derdhën gjakun e tyre që ne ta shohim e ta gëzojmë sot.
Pabesitë, kurthet, luftërat e brendshme për pushtet dhe mbi të gjithë vëllavrasjet e shekullit të kaluar, duhet të na shërbejnë si mësim për të ardhmen.
Jo ndasitë por bashkimi,
Jo interesat e vogla por e mira e përgjithshme,
Jo kulisat por çiltërsia dhe ndershmëria – vetëm këto vlera do na mbajnë të lidhur, që të mos e humbim fokusin drejt qëllimit të përbashkët.
Eshtë detyra jonë, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin ta bëjmë vendin më të sigurt, të begatë dhe të zhvilluar.
Kohët kanë ndryshuar dhe shtetet që dje ishin në luftë mes tyre – Shqipëria gjithashtu – janë bashkuar në aleancën më të fuqishme ushtarako-politike që ka njohur historia, në NATO.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Presidenti Gjerman Frank Valter Shtainmaier bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve.
Në gjurmët dhe shembullin e dëshmorëve dhe luftëtarëve të djeshëm që fituan luftën, ne sot kemi detyrën për të fituar paqen.
Jemi vëllezër e motra të një gjaku dhe e kemi detyrë që brezave të ardhshëm t’u lëmë një Shqipëri më të sigurtë e më të përparuar.
Kjo arrihet vetëm me bashkëpunim, punë të madhe, përkushtim dhe mbi të gjitha ndershmëri.
Sot, gjërat kanë ndryshuar për mirë.
Rruga nga Vlora në Gjorm e cila dikur bëhej për 1 orë e 20 minuta, sot bëhet për 20 minuta.
Rruga e Lumit të Vlorës, një nga investimet më të mëdha të qeverisë shqiptare në qarkun e Vlorës dhe një premtim i mbajtur i Kryeministrit Edi Rama, nuk është thjesht një rrugë që prek një numër të caktuar fshatrash, por është një aks shpirtëror dhe historik për këtë zonë.
Përpos të tjerave, ajo e ka nxitur më tej zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, të cilat siç dihet, janë resurse natyrale për ne shqiptarët.
Si djalë dhe nip veterani dhe duke qenë i bindur në idealet e pastra të paraardhësve tanë për një Shqipëri të lirë, kam besim se jemi në rrugën e drejtë për t’i dhënë vendit shkëlqimin që meriton.
Rroftë Populli i Gjormit!
Rroftë Populli i Labërisë dhe gjithë Shqipërisë!
Lavdi Dëshmorëve të Çetës Plakë të Gjormit!
Lavdi Dëshmorëve të Luftës Nacional-Çlirimtare!
/Vullnet Sinaj

Loading...