Vulosi kualifikimin në 1/8 finale të Botërorit, futbollisti mbytet nga kërkesat e vajzave për martesë

Dopieta kundër Ganës e bëri papritur sulmuesin e Koresë së Jugut, Cho Gue-Sung, shumë popullor. Para Botërorit të Katarit, 24-vjeçari kishte 20 mijë ndjekës në Instagram, të cilët pas dy golave ndaj afrikanëve u bënë 1.6 milionë.

Janë aq shumë telefonatat që merr tani nga admiruesit, saqë u detyrua ta fikte celularin për të mos humbur përqendrimin. Koreja e Jugut do të angazhohet sot në 1/8 finale kundër Brazilit.
Cho është i admiruar jo vetëm për aftësinë e tij si golashënues, por edhe pamjen e mirë. Në Korenë e Jugut, femrat janë të fiksuara pas tij, aq sa një klip në pankinë me kombëtaren ka marrë 7.3 milionë shikime.

Një gazetar tha: “Ai e fiku telefonin, sepse i duhej të pushonte pak. Kishte telefonata gjatë gjithë natës, që e mbajtën zgjuar. Ai po përpiqej të fokusohej te futbolli, por mesazhet vazhdonin t’i vinin”.

Duke qenë larg vëmendjes deri pak ditë më parë, dihet pak për Cho Gue-Sung. Ai është i fejuar dhe kjo do t’i bëjë të pakënaqura admirueset, të cilat i kanë kërkuar edhe martesë ditët e fundit. Ai lindi në Ansan.

Sipas faqes së internetit “Lifestyle Asia”, prindërit e tij ishin të dy atletë, por më shumë nuk dihet. Ai e filloi karrierën si futbollist në ekipin e të rinjve të FC Anyang, në rolin e mesfushorit-mbrojtës.

Meqenëse është e detyrueshme për të gjithë koreano-jugorët, Cho hyri në ushtri për shërbimin e tij ushtarak në vitin 2021, duke luajtur për Gimcheon Sangmu, ekipi i forcave të armatosura.

Loading...