Vilson Mema është personi me të cilin i riu Gert Shehu i cili sulmoi me grusht një ditë më parë Sali Berishën ka pasur kontakte të vazhdueshme në jetën e përditshme.
Përmes një interviste për mikrofonin e MCN, Mema ka bërë të ditur se Gerti ishte një person që ka interes dhe nevojë për para dhe për ti siguruar ato bënte punë të shumta deri te shpërndarja e picave.
Ai tha se Shehu është një person që nuk ka sjellje agresive, s’ka raporte të shumta me lagjen, kjo e fundit e ka distancuar, por që herë pas here kishte prirje për devijime të sjelljes së tij. Mësohet se është nëna e të riut ajo që kujdeset më shumë për 31-vjeçarin.
“E njoh Gert Shehun, jetojmë në një lagje. Dje po shihja situatën, e pash dhe se mendova se do arrinte në atë lloj grade. Kontakti i fundit që kam pasur me Gertin është pak a shumë para 10 ditësh. Në lagje atë e kanë diferencuar të gjithë, nuk është agresiv, nuk bën sherre, por mbase ngaqë merret me spiunllëqe.
Kishte nevojë për para, nuk ka pas mbështetje financiare. Gjesti i djeshëm mund të jetë i shtyrë dhe për këtë arsye. Prej 2 vitesh frekuentonte xhaminë, ishte punëtor dhe kërkonte vazhdimisht punë. Kishim shoqëri në lagje, për të kujdeset nëna e vet, ajo i blinte veshje dhe i jepte lekë.
Nuk di nëse ka motra dhe vëllezër. Mendoj se ana psikologjike ka qenë shtysa e atij veprimi. Nga bisedat e mia me Gertin di se ai punonte si shpërndarës picash me motor”, u shpreh shoku i Gert Shehut.