Media gjermane “Bild” ka zbardhur detajet e ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Dresdenit të shtunën në mëngjes!Një person i armatosur, 40 vjeçar, ende i paidentifikuar raportohet se ka vrarë fillimisht nënën e tij 70-vjeçare në një apartament në lagjen Prohlis të shtunën në mëngjes.
Më pas i dyshuari gjerman hyri në një godinë ku ndodhen zyrat e një stacioni radioje, “Radio Dresden” në Ammonhof në qendër të qytetit dhe qëlloi me pistoletë, por pa mundur të futet në zyrat e radios.
Më pas ai u fsheh në një farmaci. Atje ai mori dy pengje (një grua dhe një fëmijë), rreth orës 12:30.Forcat speciale të policisë hynë në farmaci dhe e kanë neutralizuar pengmarrësin.
Autori ka mbetur i plagosur, ndërsa pengjet e tij nuk kanë pësuar asnjë lëndim.
Shefi i Radio Dresdenit, Tino Utassy tha për BILD: “Për fat të mirë, të gjithë punonjësit mundën të qendrojnë të sigurt e nuk kanë pësuar asnjë lëndim”
Stafi i radios lajmëroi policinë për ngjarjen. Kur policia u afrua në zonë, autori i dyshuar u largua me shpejtësi me makinë drejt qendrës së qytetit.
Vrasësi i dyshuar, i armatosur me një pistoletë, hyri në Altmarktgalerie, dhe dyshohet se ishte fshehur në bodrumin e farmacisë DM. Aty ai mori peng dy personat.
Zëdhënësi i qytetit Kai Schulz tha: “Për shkak të operacionit të policisë në qendër të qytetit, Striezelmarkt do të qëndrojë i mbyllur deri në një njoftim të dytë. Ne do t’ju informojmë nëse do të ketë ndryshime.”
Siç mësoi Bild, kryebashkiaku i qytetit, Dirk Hilbert anuloi pushimet e fundjavës për të ndjekur më nga afër situatën.