Shtëpinë me kredi ia prishi tërmeti, i riu shkon të jetojë te prindërit

Emisioni “Stop” në Tv Klan shkoi në Kombinat ku qytetari Elvis Vladi, bleu me kredi një apartament, me ndihmën edhe të prindërve. Por pas tërmetit shtëpia e tij u shpall e pabanueshme. Për dy vjet Elvisi u trajtua me bonus qiraje dhe në Maj 2022 e lajmërojnë, se nuk përfiton banesë, pasi i rezulton një tjetër. Bëhet fjalë për një vetëdeklarim të të atit në vitin 2005 për një shtëpi private. Pas ndërprerjes së bonusit të qirasë Elvisi me bashkëshorten janë kthyer te prindërit e të atit.

Gazetarja: Jemi në rrugën “Llazi Miho” ku është edhe banesa e prindërve të tu. Mund të na tregosh, kur është ndërtuar kjo shtëpi?

Elvis Vladi: Prindërit e kanë ndërtuar në ’99-ën, kurse në 2005 kanë bërë vetëdeklarim në Aluizën që ka qenë atëherë. Po nga 2005 e deri sot nuk kemi asnjë lloj vendimi a do legalizohet apo jo, thjesht jemi pa letra.

Gazetarja: Nuk është pajisur asnjëherë me certifikatë pronësie kjo ndërtesë?

Gazetarja: Dhe ndërkohë kjo është edhe arsyeja përse ju skualifikoheni nga marrja e një apartamenti tek zona ku është prishur tashmë pallati juaj?

Elvis Vladi: Po, e drejtë. Sot në këtë shtëpi jemi 5 veta. Janë prindërit e mi, është vëllai im që nesër-pasnesër do martohet, jam dhe unë me nusen time që pritet të bëhemi prindër së shpejti. Ne shtëpinë e morën që nesër-pasnesër të kishim një shtëpi tonën, që të krijonim një jetë tonën si gjithë njerëzit, por që shteti thotë nuk mund ta përfitosh sepse ke shtëpi tjetër pa letra.

Gazetarja: Ndërkohë kjo shtëpi ku ndodhet saktësisht?

Elvis Vladi: Kjo shtëpi ndodhet në zonën e rindërtimit në Kombinat. Mbrapa meje po bëhen pallatet që duken edhe këtu me sy të lirë, dakord jemi që të bëhen, të marrin edhe njerëzit shtëpitë e veta, por edhe unë të marr shtëpinë time që më takon.

Gazetarja: Ndërkohë kjo shtëpi pa dokumente mund të prishet dhe ju 5 plus 1 që pritet të bëheni 6, atëherë vërtet do dilni në qiell të hapur.

Elvis Vladi: Çfarë t’i bëjmë shtetit tonë? Kështu është.

“Stop” komunikoi me Njësinë Administrative numër 6 dhe punonjësja atje na tregon, që skualifikimin e ka bërë Komisioni i Posaçëm në bashkinë e madhe, pasi Elvisit i del një pronë e dytë.

Punonjësja: Janë skualifikuar nga Komisioni i Posaçëm, për arsye se ka pronë të dytë dhe është njoftuar zotëria.

Gazetarja: Prona e dytë, pra legalizimi që ka dalë në dokumente se unë i lexova dokumentet është në njëfarë mënyre, jo i skualifikuar, por nuk mund të procedohet sepse është në një zonë rindërtimi dhe i bie praktikisht ata nuk është se kanë pronësi në atë banesë që kanë vetëdeklaruar për legalizim.

Punonjësja: Mesa di unë, e kanë marr lejen e legalizimit, apo kanë vetëm rekord në Aluizën?

Gazetarja: Jo, kanë vetëm vetëdeklarim.

Punonjësja: Vetëdeklarim, e kanë në pronë të vet, nuk e di! Eshtë një vlerësim, që ka bërë Komisioni i Posaçëm i Bashkisë Tiranës dhe ne i kemi bërë të gjitha detyrimet, që kishim. Kemi bërë njoftimin, të gjitha Domenika!

“Stop” kontaktoi me Bashkinë e Tiranës, ku vlerësimi i Komisionit të Posaçëm u quajt një gabim dhe falë këmbënguljes sonë, u hap dhe njëherë rruga për rishqyrtimin e vendimit të këtij komisioni./tvklan.al

Loading...