Ja si paraqitet situata në akset rrugore në vend (foto)

Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga reshje të dendura të dëborës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se edhe gjatë natës së mbrëmshme ka patur reshje shiu dhe dëbore ndërkohë që është punuar pa ndërprerje nga kontraktorët e mirëmbajtjes për përmirësimin e gjendjes në akse.

Në një deklaratë për mediet, ARRSH ka bërë të ditur situatën në akset në vend.

Në Rajonin Jugor Gjirokastër: Gjatë natës ka pasur reshje shiu ku situata në akset e këtij qarku është përmirësuar ndjeshëm dhe qarkullimi kryhet normalisht.

Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë, vetëm në segmentin Erind–Çajup, qarkullohet pjesërisht me zinxhirë.

Në Qarkun e Korçës, ka pasur reshje të dobëta bore ndërsa është punuar pa ndërprerje nga kontraktorët e mirëmbajtjes për përmirësimin e gjendjes në akse.

Në aksin Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Kapshticë është punuar gjatë orëve të para të mëngjesit për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

Në aksin Boboshticë-Dardhë, nga km 5-14 dhe në rrugën Ersekë-Leskovik, në zonën e Gërmenjit qarkullohet me zinxhirë.

Në Rajonin Qendror Tiranë: Gjatë gjithë natës dhe deri tani ka reshje shiu dhe në akset e Dajtit ka reshje bore.

Po vazhdon puna për pastrimin dhe hedhjen e kripës nga kontraktori. Segmentet Qafë Priskë – Qafë Mollë-Shëngjergj qarkullohet me zinxhirë. Në Trau Dajt-Teleferik është punuar për pastrim dhe shpërndarjen e kripës dhe qarkullimi bëhet me zinxhirë. Akset e Dajtit, qarkullohen të gjithë me zinxhirë.

Në Rajonin Verior Shkodër: Ka pasur reshje me intensitet të lartë. Në aksin Nyjë Fushë Dukagjin-Lidhja me Rrugën e Kombit, Hyrje Kukës-Krumë-Qafë Prush, Plepa-Kam, ka pasur reshje bore. Trashësia e borës shkon 60 cm. Vazhdon puna për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi pjesërisht me zinxhir.

Në segmentin Kukës-Ura e Zapodit, Kukës-Bushtricë, dhe K/Domaj-Draj Reç. Në punë janë 4 borëpastruese dhe 2 fadroma dhe qarkullimi kryhet me zinxhirë.

Në aksin Kukës-Bushtricë, njoftohemi për situata të rënduar nga reshjet. Trashësia e borës ka shkuar 1 m. Tani sapo është bërë e mundur hapja e rrugës dhe mjetet po kalojnë.

Aksi Mjedë-Pukë-Fushë Arrëz-Kukës, Kukës-Krumë-Qafë Prush dhe Plepa-Kam qarkullohet me zinxhir.

Në aksin Skuraj-Burrel-Klos-Peshkopi, po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e rrugës dhe shpërndarjen e kripës. Rruga është e kalueshme me zinxhirë.

Në rrugën Ura e Cerenecit-Steblevë trashësia e borës shkon 100 cm, po punohet me 2 mjete borëpastruese Qarkullimi me zinxhirë.

Në rrugët Qafë Bualli-Krastë, Burrel-Komsi, Ura e Matit – Lis, K/Ulëz-Ulëz, Peshkopi-Qafë Draje dhe Peshkopi – Ushtelenxe ka pasur reshje me intensitet gjatë natës. Trashësia e borës shkon 50 cm. Po punohet për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës. Qarkullimi rekomandohet me zinxhirë. Peshkopi-Maqellare dhe Maqellare-Dogana Bllatë qarkullohen me zinxhirë.

Po vazhdon pastrimi i segmentit Bulqizë-Shupenze nga kontraktori. Qarkullimi me zinxhirë.

Në rrugët Dedaj-Razëm, Koplik-Bogë, Qafë Mali-Fierzë, Pukë-Fushe Arrëz-Fushë Dukagjin. Është punuar pa ndërprerje nga kontraktori gjatë gjithë natës. Në këto rrugë duhet të përdoren zinxhirët.

Në akset e Tropojës Bajram Curri-Valbonë, Ura e Bujanit-Qafë Morinë, Sopot-Kernaje, Mejdan-Tropojë-Bucaj, ka pasur reshje bore me intensitet, dhe vazhdojnë edhe tani. Qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhirë.

Në rrugën Fierë-B. Curri-Kam, qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhir.

Në Qafë Laç-Koman ka pasur rreth 50 cm bore, qarkullohet me zinxhir.

Në akset Shkodër-Hani i Hotit dhe Hani i Hotit-Tamarë, qarkullimi bëhet pjesërisht me zinxhir dhe me kujdes. /atsh

Loading...