‘Njerëz dhe Fate’/ Ikona shqiptare e aktrimit zbulon detaje të reja: Kam besim që do të rikthehemi…

Rikthimi i serialit hit shqiptar “Njerëz dhe Fate” është tashmë fakt i kryer. Pak kohë më parë aktori Arben Derhemi i cili luante rolin e Florit publikoi në rrjetet sociale një foto me Robert Ndrenikën, i cili luante rolin e babait të tij në serial, Durimi.

Që prej përfundimit të serialit, fansat e serialit kanë pritur që të rikthehet, me aktorët protagonistë që gjatë viteve e kanë pranuar se do donin po ashtu t’i riktheheshin roleve të tyre. Dhe më në fund dëshira u është plotësuar.
Së fundmi disa detaje ka ndarë edhe Alfred Trebicka, i cili kishte gjithashtu një nga rolet kyçe në “Njerëz dhe Fate”. Në premierën e filmit më të fundit ku ai është protagonist në Prishtinë, aktori nuk denjoi të prononcohet mbi këtë lajm që ka entuziazmuar fansat e telenovelës së parë shqiptare.

“Unë s’kam të drejtë të zbuloj gjë, por mund të them që po bëhen të gjitha përpjekjet dhe janë të gjitha shanset dhe mundësitë që të rikthehet këtë vit. Detaje më të imëta as unë nuk di.”- ka thënë ai për Telegraf.

“Di domethënë që po punohet shumë fortë për gjetjen e bashkëpunëtorëve, të të gjithë komponentëve, sepse një fjalë goje është që të rikthehet prapë, por do të kthehet në një standard tjetër. Dhe po them me këto veprat që kanë pasur një lloj suksesi në të shkuarën është pak siklet, sepse duhet të jetë më lartë se çka qenë. Unë kam besim që do të rikthehet sivjet”, ka thënë Trebicka. Aktori që luante rolin e dajës në familjen e sfiduar nga problemet e kohës, më tutje ka thënë se e ndjen nostalgjinë e personazhit që portretizonte në serial, të quajtur Betim.

Loading...