Babai vret djalin, zbardhen detajet e ngjarjes së rëndë

Një krim në familje ka tronditur fshatin Zvezdë në Maliq të premten e 17 shkurtit, i zbardhur disa orë më vonë. Policia bën me dije se një 77 vjeçar ka vrarë djalin e tij 50 vjeçar, gjatë një konflikti mes njëri tjetrit.

Mësohet se viktima ka qenë i dehur kur është konfliktuar në banesë me babain e tij, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Në këto kushte, për vetëmbrojtje, i moshuari e ka goditur disa herë në kohë të birin me një çekiç që përdoret për të thyer gurë.

Si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Ndërkohë që familjarët, në polici kanë dhënë deklarime të rreme, ku kanë thënë fillimisht se viktima ishte rrëzuar aksidentalisht dhe ishte dëmtuar në kokë. Pas hetimeve, policia vuri në pranga të moshuarin Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Njoftimi nga Policia Maliq

U raportua fillimisht si ngjarje aksidentale, por pas hetimeve të thelluara nga grupi hetimor zbardhet ngjarja e ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Zvezdë, ku humbi jetën 50-vjeçari H. B.

Vihet në pranga babai i viktimës, autor i dyshuar i vrasjes (me sende të forta) të djalit të tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Korçës, ishte sjellë i pajetë shtetasi H. B., 50 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq, menjëherë kanë shkuar në spital dhe në vendngjarje, me qëllim verifikimin e rastit.

Fillimisht familjarët e tij kanë deklaruar se 50-vjeçari, duke qenë në gjendje të dehur, ishte rrëzuar aksidentalisht në banesën e tij dhe për pasojë kishte marrë dëmtime në kokë.

Pas hetimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatin e Policisë Maliq dhe specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, u bë e mundur zbardhja e plotë e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Nga hetimet e thelluara dhe provat e siguruara rezultoi se pasditen e djeshme, 50-vjeçari duke qenë në gjendje të dehur, është konfliktuar në banesë me babain Sh. B., 77 vjeç, të cilin ka dashur t’a hedhë në pusin e ujit në oborr.

Më pas 77-vjeçari, e ka goditur disa herë në kokë me mjete të forta (çekiç që përdoret për të thyer gurë), ku si pasojë e dëmtimit të rëndë, 50-vjeçari ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Sh. B., 77 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.

Loading...