U masakrua pasi u kap brenda banesës duke vjedhur pula, humb jetën tek ‘Trauma’ 52-vjeçari. Vëllai: ‘Përgjegjësi të dënohet’

Ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 28 shkurtit në lagjen “11 Janari” në Kuçovë, ku një 52-vjeçar u masakrua nga një 20-vjeçar që e kapi brenda banesës së tij duke vjedhur pula, ka marrë një rrjedhë tragjike.

52-vjeçari Lefter Brisku, i njohur ndryshe edhe me emrin Krenar Brisku, nuk ka mundur dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe mesditën e sotme ka vdekur në ambientet e Spitalit të Traumës në Tiranë.
Ai u dërgua menjëherë pas ngjarjes në gjendje kome, për shkak të goditjeve të shumta që kishte marrë në kokë.

Lefter Brisku qëndroi 7-ditë në Spitalin e Traumës, ku sipas familjarëve mësohet se nuk ka reaguar asnjë moment.
Familja Brisku në lagjen “11 Janari” në Kuçovë ka hapur pasditen e sotme dyert e mortit, në pritje të trupit të viktimës, ndërkohë që në banesën 2- katëshe të 20-vjeçarit Bjorsi Shushari (tashmë i shoqëruar nga policia pasi po procedohej fillimisht pas ngjarjes në gjendje të lirë),gjithçka është e mbyllur.

Familjarët e viktimës Lefter Brisku kërkojnë drejtësi për 52-vjeçarin, që sipas tyre u masakrua në mënyrë barbare nga i riu për dy pula.

Vëllai i viktimës, Shyqo Brisku i bën apel shtetit të vërë para drejtësisë 20-vjeçarin që masakroi për vdekje vëllain e tij, kur-sipas tij-kishte edhe mënyra të tjera për ta neutralizuar e më pas njoftuar policinë.

“Nëse vëllai kishte shkuar për të vjedhur ata duhet të njoftonin policinë kur e panë në oborr dhe jo ta masakronin për vdekje. Vëllai im ka dalë atë natë nga shtëpia i dehur dhe në atë gjendje që ndodhej ishte shumë e thjeshtë që një 20-vjeçar ta neutralizonte e të thërriste policinë por jo ta masakronte për vdekje.

Lajmin e morëm vesh nga mediat sepse policia nuk na njoftoi, as në Spitalin Ushtarak se pamë dot derisa vdiq, vetëm nusja mundi të hyjë brenda, por vëllai nuk reagoi asnjëherë. Ne kërkojmë drejtësi për vëllain tonë, që la jetim djalin e vetëm 16-vjeç”-,ka thënë Shyqo Brisku.

“Viktima dhe agresori jetonin në të njëjtën lagje në qytetit e Kuçovës por edhe pse shtëpitë e tyre ishin mjaft larg nga njëra-tjetra banorët e lagjen i njihnin mirë të dyja familjet. Ndërkohë që nuk mund të dëshmojnë dot rreth të vërtetës së ngjarjes së 26 Shkurtit, banorët e lagjes “11 Janari” në Kuçovë pohojnë se 52-vjeçari ishte pijedashës por ishte familjar i rregullt dhe punëtor, ndërkohë që 20-vjeçari ishte student në Tiranë”, ka thënë vëllai i viktimës.

NGJARJA

Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e Kuçovës. 52-vjeçari Lefter Brisku, teksa kishte hyrë në ambientet e banesës së familjes Shushati ku kishte tentuar të vidhte disa pula, u përball me të zotin e shtëpisë, duke rënë pre e dhunës së djalit të tij 20-vjeç. Ngjarja ndodhi në lagjen “11 janari” pak pas mesnatës së 26 Shkurtit, pranë varrezave të qytetit. Sipas policisë, Lefter (Krenar) Brisku është kapur nga i zoti i shtëpisë me një thes me pula që i kishte vjedhur në kotec, ndërsa më pas ka ndërhyrë djali i këtij të fundit, 20-vjeçari Bjorsi Shushari, i cili ka nisur ta dhunojë, duke e shkaktuar fraktura të forta në kokë.

Pas sinjalizimit të policisë nga pronari i banesës, në vendin e ngjarjes mbërriti dhe ambulanca, e cila e transportoi fillimisht Briskun drejt spitalit të Kuçovës, ku pasi iu dha ndihma e parë u transportua drejt Spitalit Rajonal të Beratit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë të specializuar, pasi gjendja e tij ishte kritike.52-vjeçari Lefter Brisku qëndroi 7-ditë në Spitalin e Traumës, ku sipas familjarëve mësohet se nuk ka reaguar asnjë moment deri mesditën e sotme kur nuk ka mundur dot ti mbijetojë plagëve të marra dhe për fat të keq humbi jetën.

Loading...