Selenicë\Ndërhyrja në kohë dhe puna profesionale e shërbimeve të Policisë, bëjnë të mundur parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Qëlluan me armë zjarri në drejtim të një 36-vjeçari, pasi e kishin kërcënuar dhe dhunuar atë, për t’u dhënë një shumë parash, kapet dhe vihet në pranga 33-vjeçari, si dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Të dy këta shtetas, me precedent kriminal në fushën e krimeve kundër personit. Shërbimet e Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Ramicë, 2 shtetas kishin qëlluar me armë zjarri, në drejtim të një 36-vjeçari, kanë organizuar punën me qëllim parandalimin e një ngjarjeje të rëndë kriminale. Si rezultat i kërkimeve intensive dhe ndjekjes së shtetasve që qëlluan me armë zjarri, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej tyre, konkretisht i shtetasit: -E. B., 33 vjeç, banues në Vlorë. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëautori i dyshuar, shtetasi J. Rr., 30 vjeç, banues në Vlorë, për kapjen e të cilit vijon intensivisht puna. Këta shtetas dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dhe dhunuar shtetasin G. L., 36 vjeç, i cili punonte çoban, në fshatin Ramicë, për t’i marrë atij një shumë parash.
Të dy këta shtetas, pasi nuk kanë marrë paratë e kërkuara nga 36-vjeçari, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri, në drejtim të tij. Shtetasi G. L. ka mundur të fshihet dhe t’u shpëtojë të shtënave. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.