Burgosja e nënës lehonë, Avokati i Popullit nis hetimin e rastit

Avokati i Popullit njofton se ka nisur procedurat për të ndërhyrë dhe për të liruar menjëherë Diana Bahçjan, nënën lehonë që ndodhet në burgun e grave në Tiranë larg foshnjes së saj.

Në një njoftim për mediat, AP sqaron se pasi është njohur me rastin ka kërkuar dokumentacionin përkatës dhe ka takuar Dianën në burgun e grave në Ali Demi. AP thotë se do ti kërkojë gjykatës pezullimin e vendimit për të ekzekutuar dënimin.

Njoftimi i plotë i avokatit të Popullit:

AVOKATI I POPULLIT NIS HETIMIN MBI RASTIN E DËNIMIT TË NËNËS SË NJË FOSHNJEJE TË PORSALINDUR

Institucioni i Avokatit te Popullit është njohur me rastin e bërë publik në media nga familjarët e shtetases me iniciale D.B., e cila është burgosur në bazë të vendimit të Gjykatës së shkallës së Parë Tiranë e vitit 2022, pas konvertimit të një dënimi me gjobë që kjo shtetase ka marrë po nga kjo gjykatë në vitin 2020 për braktisje të fëmijës së mitur.
Nga Avokati i Popullit është regjistruar rasti me iniciativë dhe menjëherë kanë filluar të kryhen veprimet e nevojshme hetimore, sikurse është administrimi i praktikës përkatëse dhe marrja takim me të dënuarën në IEVP Ali Demi 325.

Po ashtu Avokati i Popullit do t’i drejtohet me kërkesë për informacion drejtuar organit të prokurorise dhe strukturave të Policisë.

Sipas Kodit të Procedurës Penale (neni 476, gërma b), me vendim të gjykatës është e mundur të shtyhet ekzekutimi i vendimit, mbi bazën e kërkesës të të dënuarit, mbrojtësit ose të prokurorit në rastin kur e dënuara është shtatzënë ose me fëmijë nën një vjeç.
Në këtë rast ekzekutimi shtyhet gjersa fëmija të bëhet një vjeç. Me paraqitjen e kërkesës, është e drejtë e gjykatës të pezullojë ekzekutimin e vendimit gjer në shqyrtimin e saj.
Në përfundim të hetimit administrativ, institucioni i Avokatit të Popullit do të dalë me gjetjet përkatëse.

Rasti i Diana Bahçjas ka marrë vëmendjen e publikut për shkak të paradoksit nga drejtësia shqiptare. Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur.

Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur. Nëna është në burg ndërsa për fëmijën që ka nevojë urgjente dhe të pajustifikuar për nënë, është duke u kujdesur i shoqi, Naim Bahçja bashkë me mbesën e tij 11-vjeçare.

Loading...