Sajmir Paja, ka folur për herë të parë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pak netë më parë në një lokal në zonën e Don Boskos në kryeqytet, ku mbeti viktimë nëna e tij, Mimoza Paja.
Ai është shprehur se në momentin kur ndodhi ngjarja, nëna e tij nuk ka qenë në punë por kishte shkuar për të marrë një kafe, pasi nuk donte të qëndronte vetëm në shtëpi.
“Di që në atë lloj ore nuk ka qenë aty, thjesht ka qenë duke dalë për të marrë një kafe për vete se e konsumon shumë, e pëlqente. Nuk donte të rrinte vetëm në shtëpi, shkonte vinte, dilte”, thotë ai për Report Tv.
Ai thotë se nuk kishin dijeni për konfliktet e pronarit të lokalit, Fatjon Murati edhe pse ishin fqinj me njëri tjetrin. “Për lokalin nuk e di fare, komshinj i kam, por nuk di të kenë ndonjë gjë, nuk kam dëgjuar gjë”, ka treguar ai.
Paja shprehet se mbesa e tij e mitur e cila ndodhej në lokal në momentin e ngjarjes gëzon shëndet të plotë, edhe pse është ende e tronditur nga skena e rëndë që ka parë.
“Mbesa gëzon shëndet të plotë, ka pak ato pasojat e veta, është e tronditur nga ngjarja që ka parë, s’ia uroj kurrkujt ta shohi, ne vetë të rritur kur e dëgjojmë na trondit, jo më një fëmijë 10 vjeçe. Mbesa është me nënën dhe babain e saj. Për arsye, siç rri çdo fëmijë, ka qenë më e lidhur më shumë me nënën jo se të tjerët nuk janë, kjo ka qenë më e lidhur më e dashur”, thotë Paja.
Edhe pronari i shtëpisë ku Mimoza Paja qëndronte me qira tregon se viktima ishte shumë korrekte me pagesën. “Na rrinte shumë korrekt për punën e qirasë. Këto që thonë se ka kohë pa paguar qiranë është gënjeshtër”, ka treguar pronari i qirasë.