Ja për çfarë ranë dakord Kurti Dhe Vuçiç ne

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.

Borrell i bëri komentet pasi ndërmjetësoi një takim maratonë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Duke iu adresuar gazetarëve, ai tha se kjo është një “arritje e rëndësishme”.

“Ajo që palët pranuan, është që marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”, tha Borrell.

Edhe pse palët vendosën të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, tha ai, ato u pajtuan që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Është e qartë se të dyja palët do të kenë përfitim të madh nga kjo marrëveshje, sepse dialogu nuk është vetëm për shkak të Kosovës dhe Serbisë, por ka të bëjë me stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e të gjithë rajonit”, tha kryediplomati i BE-së.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e detyron Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Borrell tha se Kosova është pajtuar “që t’i nisë menjëherë negociatat me BE-në” për të siguruar “një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pajtimi i arritur në Ohër është “njohje e ndërsjellë de facto” e Kosovës dhe Serbisë.

I pyetur nga gazetarët nëse do të lejojë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ai tha se bëhet fjalë për “një nivel adekuat të vetëmenaxhimit të komunitetit serb” dhe “jo për vetëqeverisje”.

Presidenti i Serbisë, Vuçiç, tha se formimi i Asociacionit “është bërë detyrim me prioritet”.
“Më duhet të them se jam shumë i kënaqur për këtë”, tha Vuçiç. “Pavarësisht dallimeve, kishim një bisedë të mirë”, shtoi ai.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan fillimisht takime të ndara me Borrellin dhe me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përpara se të fillonin takimin e përbashkët, i cili zgjati deri në orët e vona të 18 marsit.

Në cilësinë e vëzhguesit, i pranishëm në takim ishte edhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Duke komentuar pajtimin e palëve, Escobar tha se ai hap derën për një integrim më të madh euro-atlantik të të dyja vendeve.

“Kjo hap derën edhe për rajonin që të hyjë në një epokë të re të paqes”, tha Escobar.

“Mund t’ju them sot se SHBA-ja zotohet të ndihmojë me zbatimin [e Marrëveshjes], që të funksionojë për të dyja vendet dhe për rajonin”, tha ai.

Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon ende ta konsiderojë atë pjesë të saj.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

Muajve të fundit, komuniteti ndërkombëtar ka rritur trysninë mbi dy vendet për të punuar drejt normalizimit të marrëdhënieve, nga frika se Rusia mund të përpiqet t’i shfrytëzojë tensionet mes tyre për të nxitur destabilizim në Ballkan, në përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.

Loading...