Një ambient i përshtatur për zhvillimin e veprimtarive të palejuara, është zbuluar nga Policia e Tiranës në zonën e “Komunës së Parisit”. Në pranga kanë rënë tre pronarët e lokalit dhe janë proceduar shtatë klientët që janë gjetur aty duke luajtur.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Poker 2”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan:
Shtetasit: A. Ç., 32 vjeç, Xh. M., 28 vjeç, dhe E. D., 28 vjeç, administratorë të një lokali, të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: K. N., 21 vjeç, K. K., 25 vjeç, A. O., 25 vjeç, A. K., 41 vjeç, Q. Sh., 27 vjeç, A. Ç., 27 vjeç, dhe I. D., 44 vjeç, klientë në lokal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në administrim nga të arrestuarit, në Komunën e Parisit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë duke luajtur poker me çipsa, shtetasit e lartpërmendur.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 tavolina pokeri dhe çipsa, 50 000 lekë të rinj, 700 euro, 300 paund, 200 franga, si dhe 3 njësi kompjuterike.