Raportohet se disa fshatra në zonën e Dibrës qëndrojnë prej 10 ditësh të bllokuar nga bora, ndërsa rrugët janë të bllokuara. Ndërkohë, probleme paraqiten edhe në qarkun e Elbasanit.
QARKU DIBËR
Temperaturat gjatë natës në qarkun e Dibrës kanë shënuar -12 gradë, ndërsa trashësia e dëborës është 70 cm. Gazetari Enver Doçi raporton për ‘BalkanWeb’ se në zonat e thella të këtij qarku bora arrin deri në 2 metra, ndërkohë që rrugët rurale janë të bllokuara. Raportohet se rreth 115 familje në Terrnovë të Madhe dhe Terrnovë të Vogël që prej 10 ditësh janë të bllokuara. Mes të tjerash bëhet e ditur se aksi nacional Peshkopi-Tiranë në disa segmente kalohet me vështirësi pasi është prezenca e akullit në rrugë. Duke mos mjaftuar temperaturat nën zero, në këtë qark ka edhe mungesë të energjisë elektrike, ndërsa OSHE po punon për rikthimin e saj.
Doçi raporton se zona e Gollobordës prej 5 ditëshe është e bllokuar, ndërkohë që banoret bëjnë apel për ndihmë. Po ashtu bëhet e ditur se në fshatin Ostren ka pasur raste të urgjencave shëndetësore, ndërkohë që në zonë mungon mjeku.
QARKU ELBASAN
Temperaturat e ulëta kanë shkaktuar ngrica në akset të rrugëve kombëtare në Qarkun e Elbasanit. Burime zyrtare për gazetarin e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Fatmir Popja raportuan se firmat nënkontraktore që mirëmbajnë këto segmente rrugore kanë hedhur kripë mëngjesin e sotëm në trasenë e rrugëve me akull për të evituar rrezikun në qarkullimin e automjeteve.
Ndërkaq në aksin e rrugës Librazhd-Steblevë rekomandohet përdorimi i zinxhirëve pasi në vendin e quajtur Shkalla e Lunikut ka akull në trashësi të konsiderueshme. Problem mbeten ende disa akse të rrugëve rurale në fshatrat malorë të Qarkut të Elbasanit ku trashësia e dëborës shkon 30-40 cm. Ndërkohë si rezultat i ngricave gjatë natës së fundit janë dëmtuar disa linja të tensionit të Mesëm si dhe ka defekte në disa Fidra dhe për pasojë mëngjesin e kësaj të shtune rreth 4900 abonentë në zonat rurale janë pa energji dhe që në orën 07:00. Aktualisht në terren ndodhen punonjësit e OSHEE të cilët po punojnë për riparimin e defekteve.
(BalkanWeb)