Shqiptari humbi jetën pasi shpëtoi një 6-vjeçar/ Djali tregon fjalët e fundit të tij

Një 40-vjeçar shqiptar ka humbur jetën të dielën në Florida, SHBA pasi i shpëtoi jetën një 6-vjeçari. Shqiptari Adem Qorri, baba i tre fëmijëve i shpëtoi jetën djalit të mikut të tij ndërsa vetë humbi jetën.

Të afërmit dhe miqtë e tij kanë shpjeguar për mediat amerikane se si ndodhi ngjarja tragjike që mund të kishte përmasa edhe më të mëdha pasi disa fëmijë ishin duke u larë në lumë.

Kur fëmija më i vogël ra në lumë, një tjetër u përpoq ta kapte dhe ta tërhiqte mbrapa por ai nuk mundi dhe të dy mbetën në ujë. Në këtë moment shqiptari dhe miku i tij u futën për t’i shpëtuar. Ndërsa Ademi u përpoq të shpëtonte 6 vjeçarin nga mbytja, ai humbi ndjenjat.

Djali 6-vjeçar që u shpëtua u ka treguar familjarëve të tij se shqiptari para se të vdiste po bënte thirrje për ndihmë dhe thoshte se i vinte keq. Kur Ademi u nxorr nga uji, ai u transportua me urgjencë në spital por aty u shpall i vdekur.

Bashkëshortja e tij, Blerta e ka quajtur shqiptarin një hero dhe babain më të mirë të të gjitha kohërave.

Ai thjesht ishte babai më i mirë i të gjitha kohërave. Jam e lumtur që ai shpëtoi një jetë, do e bënte sërish pa u menduar dy herë, ai është një hero tani.

Shqiptari Adem Qorri mbërriti si refugjat lufte në Amerikë në fund të viteve ’90.

Loading...