Protestuesit akuzojnë presidentin Aleksandar Vuçiç që po shtyp të drejtën e medias dhe po bën raprezalje mbi opozitën.
“I dashuri ynë Aleksandar Vuçiç! Ne po zemërohemi gjithnjë e më shumë. Unë dua t’iu them se po zemërohemi gjithnjë e më shumë dhe do të ketë gjithnjë e më shumë protestues në shesh. Mjaft me gënjeshtra, mjaft me vjedhje dhe dëgjoni atë që njerëzit po ju thonë”, tha Branislav Trifunoviç, aktor.
Këtë të shtunë, për të 6 herë radhazi, marshuesit do të ngrenë edhe një herë në duar flamujt dhe banderolat, në një shpalosje të madhe të pakënaqësisë ndaj sundimit gjithnjë e më të kritikuar të Vuçiçit.
“Diktator”, thërriste turma në një nga demonstrimet e fundit në kryeqytet. Disa dhjetëra njerëz mbanin ndërkohë në duar një tabelë gjigante, ku shkruhej “Mjaft me këmisha të përgjakura”, një referencë ndaj politikanit të opozitës, Borko Stefanoviç, që u gjakos pasi u sulmua nëntorin e kaluar.
Ishte ky incident, që ndezi edhe protestat e para. Sulmi u solli shumë serbëve në mendje incidentet e dhunshme mbi kundërshtarët politikë në vitet ’90, nën sundimin e Slobodan Milosheviçit.