Një punonjës i ndërmarrjes së komunales, Bashkia Patos, është paraqitur në Policinë e Fieri dhe ka bërë kallëzim se është dhunuar fizikisht nga shefi i tij. Referuar njoftimit zyrtar, bëhet me dije se 55 vjeçari Bato Dalipaj është rrahur pasi nuk ka pranuar të firmosë një formular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë e Fierit dhe në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore, shtetasit Bato Dalipaj po i merret dëshmia në lidhje me rrethanat e ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet procedurale.
Më herët, gjatë pasdites së sotme deputeti demokrat Luan Baçi ka denoncuar në media se Bato Dalipaj është dhunuar për një formular votash. Sipas 55 vjeçarit të dhunuar, shefi Petrit Pëllumbi i ka kërkuar të firmosë për votat e anëtarëve të familjes dhe pasi Dalipaj nuk ka pranuar, është rrahur me grushte e shkelma.
Patos, Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 16:10, shtetasi B. D., 55 vjeç (punonjës i ndërmarrjes së komunales, bashkia Patos), është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier, për të bërë kallëzim, duke pretenduar se në ambientet e punës, eprori i tij, shtetasi P. P. ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij, për shkak nuk ka pranuar të plotësojë një formular.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë njoftuar menjëherë Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe në prani të oficerëve të Policisë Gjyqësore, shtetasit B. D. po i merret dëshmia në lidhje me rrethanat e ngjarjes, si dhe po kryhen të gjitha veprimet procedurale.
Ndërkohë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.