Përgjegjësi i komunales dhunon punonjësin e bashkisë, i lënduari: Më kërkoi votat e familjes sime për PS

Një punonjës i bashkisë së Patosit u dhunua ditën e djeshme nga përgjegjësi i ndërmarrjes së komunales në këtë bashki Petrit Pëllumbi. I lënduari Bato Dalipaj akuzoi Pëllumbin se i kërkoi të plotësonte emrat e familjarëve të tij për të dhënë vota për Partinë Socialiste në këtë bashki në 14 maj.

Dalipaj deklaroi për mediat se ka denoncuar dhunën ndaj tij te kandidatja e “Foltores” Sofie Alushi. “Më kërkuan të nënshkruaj pjesëtarët e familjes. Unë s’e pranova, u thashë ‘jo, unë jam thjesht 4 orarsh’ dhe nuk e pranova. ‘Ti s’më ke futur 8 orarsh’, i thashë. Formulari ishte për votime dhe të shkruaja pjesëtarët e familjes. ‘I thashë faleminderit’ dhe mora rrugën ika në korridor, më erdhi nga mbrapa dhe më gjuajti duke më shtrirë përtokë, Petrit Pëllumbi.)

Ndenja rreth 30 minuta i gjakosur atje dhe erdhën shokët më ndihmuan, pastaj më çuan në spital. Çfarë ka ndodhur më pyeti doktoresha, më kanë goditur Petrit Pëllumbi dhe erdha këtu të bëj një denoncim për rastin në fjalë që më goditën. Petriti është një përgjegjës që ndan punën në komunalen e Patosit. Jam i punësuar 4 orarsh tani në qershor më mbaron kontrata 1 vjeçare.

Kam kontaktuar me Sofie Alushin si mjeke jo si kandidate”, tha Dalipaj për mediat. Deputeti demokrat i qarkut Fier, Luan Baçi fajësoi kryeministrin Edi Rama për përdorimin e administratës dhe pushtetit lokal për të shantazhuar qytetarët për manipulim votash. Ai i bëri apel OSBE/ODIHR që të monitorojë situatën zgjedhore në Shqipëri, pasi paralajmëroi se do të agravohet. “Kryeministri duhet të heqë dorë nga presionet dhe shantazhi. S’del vetë kryeministri, po dalin të vegjlit e kryeministrit. Jemi në mes të fushatës dhe situata do agravojë. Edi Rama e di që do të humbë se nuk ia voton njeri kandidatët problematikë dhe do që t’i marrë bashkitë me dhunë. I bëj thirrje OSBE/ ODIHR që të jetë në terren për të vëzhguar situatën”, tha Baçi ndër të tjera.

Loading...