Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Vlorë, Hysni Sharra ka reaguar sot duke e quajtur të paligjshëm arrestimin e kandidatit të opozitës në Himarë, Fredi Beleri mesnatën e kaluar.
Në një intervistë për “News 24”, ai tha se në rastet e arrestimeve në flagrancë, duhet të jenë të pranishëm një shitës dhe një blerës votash, ndërkohë që Beleri ishte me avokatin e tij dhe me një bashkëpunëtor ndërkohë që u shoqërua nga policia.
“Nga informacionet që kemi, na është thënë që është një arrestim i paligjshëm, pa asnjë provë. Arrestimi në flagrancë kërkon disa kushte, duhet të ketë një shitës votash, një blerës votash, duhet të ketë dhe ca para aty. Kandidati ka qenë me avokatin e tij dhe një bashkëpunëtor. Edhe në video duket që është me personat e stafit të tij. Ky arrestim është i paligjshëm. Ramës nuk i dalin llogaritë në qarkun e Vlorës. Rama e do fushën bosh si në 2019”, tha Sharra.
Sipas tij “Nga prokuroria është komunikuar që do bëhet arrestim për blerje votash. Është kërkuar informacion se kush është shitësi dhe kush është blerësi i votave dhe prokuroria ka thënë “kaq informacion mund të japim”. Me këtë kuptohet qartë çfarë ka ndodhur”.