Burg kandidatit të ‘BF’, Fredi Beleri/ Dosja i kalon SPAK-ut

Gjykata e Vlorës ka caktuar masën ‘arrest me burg’ për kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri. Mësohet se pas disa orësh seancë, ku prokurori i çështjes ka paraqitur ato që i cilëson prova që vërtetojnë sipas tij akuzën e blerjes së votave, togat e zeza vendosën që të linin në burg Belerin. Ndërkohë, dosja e tij do t’i kalojë për gjykim Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK-ut.

Sakaq, pritet që në orët në vijim të jepet dhe masa për Pandeli Kolaveshi, i cili ndodhet i shtruar në spital në Tiranë, pasi shfaqi probleme me zemrën pas arrestimit.

SEANCA
Gjykata u ‘blindua’ sot nga forca të shumta policie, kryesisht civilë. Ndërkohë në ambientet e gjykatës ishte dhe ambasadorja greke në Tiranë, Konstantina Kamitsi. Gazetari Enrik Mehmeti në një lidhje live për News24 raportoi se Beleri kërkoi një masë të butë sigurie për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi sipas tij vuan nga diabeti.

Beleri u arrestuar pak pas mesnate të premten, para lokalit të tij bashkë me një person tjetër nën akuzën për blerje votash për zgjedhjet që pritet të mbahen nesër. Forca të shumta policie morën pjesë në prangosjen e tij, që u bë me urdhër të SPAK. Vetë Beleri dhe të tjerët, kanë mohuar që të jenë përfshirë në shkelje të tilla, si blerja e votave. Sipas policisë, hetimet nisën 4 ditë më parë pas informacioneve se disa persona iu ofronin qytetarëve të ndryshëm, shuma të caktuara parash kundrejt dhënies së votës për një nga kandidatët konkurrues.

Loading...