Avokati i njohur Spartak Ngjela thotë se Himara nuk është fituar nga Fredi Beleri, pavarësisht rezultatit përfundimtar të votimit dhe të dhënave të KLQZ.
Sipas tij, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është në burg dhe dosja e tij pritet të gjykohet nga SPAK.
Ngjela shkruan në ”Facebook” se Beleri është kapur në flagrancë duke shpërndarë para për vota dhe nëse dënohet me burg ai shkarkohet automatikisht.
“Asgjë, ende nuk është fituar Bashkia e Himarrës.
Ai që u zgjodh me sforcim të madh parash, është i arrestuar në bazë të nenit 328 të Kodit Penal – për Korrupsion Aktiv në Zgjedhje.
Çështja do të gjykohet në SPAK.
Nëse gjykata do ta dënojë Belerin me burg, dhe vendimi gjyqësor do të marrë formën e prerë, Beleri shkarkohet automatikisht në bazë të vendimit me burg që i ka dhënë SPAK.
Kot gëzohen të shiturit në Himarë.
Por, nëse Beleri merr pafajësinë në SPAK, atëherë do vijojë mandatin si Kryetar Bashkie i Himarës.
Por kjo është pamundësi absolute, sepse Beleri është kapur në flagrancë, dhe nuk ka gjykatë që t’i japë pafajësi, e jo më SPAK-u
Të shohim më pas se si do të shkojnë zgjedhjet për kryetarin që do të zgjidhet në zgjedhjet e reja, dhe cili do të jetë kandidati i ri që do zgjidhet nga himarjotët.
Por SPAK duhet ta gjykojë sa më shpejt me një procedurë të përshpejtuar, se kjo është një çështje me rëndësi të madhe kombëtare”, shkruan Ngjela.