Deputeti Agron Gjekmarkjaj, ka analizuar situatën paszgjedhore dhe rezultatet me të cilat u përball opozita në “Lokalet” e dy ditëve më parë.
I ftuar në emisionin “Frontline” në News24 me gazetaren Marsela Karapanço, Gjekmarkaj u shpreh se Partia Demokratike duhet të shkojë tek shoqëria dhe jo e kundërta, pra që shoqëria ta ndjekë atë.
Ai ka renditur mënyrat se si PD mund të shpëtohet nga asgjësimi, ndërsa shtoi se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të distancojë veten dhe familjen e tij nga PD në mënyrë që demokratët të bashkohen dhe partia të rithemelohet.
“Nuk kam receta dhe mend për t’i dhënë askujt, por PD duhet të shkojë tek shoqëria mos të pretendojë të kundërtën.
PD s’mund të jetë në konflikt të vazhdueshëm me kohën, historinë dhe aleatët historikë të vendit.
Shoqëria është inteligjente dhe në lëvizje të vazhdueshme, duhet ta ndjekësh me ide dhe njerëz, nuk mund të paraqitesh gjithmonë si një individ që hyn i ri e del plak nga PD duhet të pranosh dinamikën e brezave dhe faktin që të rinjtë të zëvendësojnë.
Marrim rastin e Kavajës, Salianji bëri një fushatë model, i ndihmuar edhe nga kandidati që kishte mbështetjen e të gjithëve. Edhe atje ka pasur presione.
mund të gënjesh veten por jo të tjerët, e gënjeshtra nuk të ndihmon të shkosh larg sepse të zvogëlohet autoriteti publik.
Kemi dy realitete, ato të Foltores që u godit rëndë dhe PD që thuajse vdiq në këto rezultate.
Shqipëria ka nevojë për një opozitë të re. Ajo nuk ndërtohet me çelik e gur, duhen njerëz të rinj dhe ide të reja.
Foltorja duhet të çmobilizohet, partia e vulës gjithashtu, të çmobilizohet e të mos bëjë asnjë veprim.
Duhet të krijohet një atmosferë komunikimi mes grupeve, të shkohet drejt rithemelimit për muaj, jo menjëherë.
Nuk mundtë bëhet rithemelimi menjëherë.
Të shkohet drejt një kongresi pajtimi dhe zgjedhjes së një lideri që unë e përjashtoj të jetë Berisha.
Nuk përjashtoj të ndodhë më e keqja, që Berisha të mos reflektojë. Duhet të distancojë veten dhe familjen nga partia në mënyrë që të bashkohen demokratët.
Ndryshe do ndodhë që Berisha do radikalizohet, do mbajë rreth vetes militantë që do i pakësohen”, tha Gjekmarkaj.