‘Duhet analizë e plotë, regjimi ka deformuar demokracinë’, deputeti i PD: ‘Paterica’ e Ramës problematike, ka mision përçarjen

Deputeti i PD, Tritan Shehu përmes një komunikimi të drejtpërdrejtë në studion e News24 ka folur në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit.

Shehu deklaroi se u punua për ruajtjen e votës nga ana e opozitës, ndërsa shtoi se pas kësaj humbjeje opozita duhet të bëjë një analizë të plotë ku sipas tij duhet të jetë në qendër të vëmendjes edhe deformimi i demokracisë me presione dhe përdorime të bandave nga “regjimi”.

Ai shtoi më tej se mekanizmi kryesor që mund të zgjidhë këtë situatë është lëvizja e gjerë popullore dhe se opozita ka nënvlerësuar forcën e qeverisë për deformimin e votës.

Shehu vijoi duke thënë se problemi është në grupin parlamentar të opozitës ku sipas tij ndodhet “paterica e Ramës”, duke iu referuar grupimit të deputetëve që mbështesin Enkelejd Alibeajn.

“Unë mendoj se u punua për t’i dalë garant votës së shqiptarëve. Vëzhguesit në qarkun e Gjirokastrës bënë gjithçka për ruajtjen e votës. Berisha ka thënë se do bëhet analizë e plotë e këtij procesi për të parë reagimin e strukturave dhe komunikimin me njerëzit.

Nga ana tjetër kjo analizë nuk mund të mos ketë në qendër të vëmendjes tragjedinë e këtij vendi, deformimin e demokracisë nga regjimi me presione, përdorimin e grupeve kriminale si edhe patericat e regjimit për të krijuar një rrjedhje të votave për të favorizuar kandidatët e majtë.
Mekanizmi kryesor që mund të zgjidhë këtë situatë është lëvizja e gjerë popullore. Nuk shoh mekanizëm tjetër, regjimet përmbysen me lëvizje popullore. Ky regjim në Shqipëri kërkon të tjetërsojë demokracinë dhe nuk ka asgjë të përbashkët me të.

Kemi nënvlerësuar forcën e regjimit për të deformuar votën. Nga ana tjetër janë dhe elementë të tjerë ku paterica e Ramës në opozitë pati efekt negative duke pasur pasoja. Problemi është në grupin parlamentar realisht, aty është reflektuar edhe në disa nivele të bazës. Dikush është i shpërblyer për të përçarë, nuk mendoj se ata që e kanë mision përçarjen mund të bëhen pjesë e bashkimit.

Mendoj se ka hapësirë për bashkëpunim me kolegët e tjerë dhe ka ardhur koha që PD të bashkohet aty ku është shumica që drejtohet nga Berisha”, u shpreh ai.

Loading...