Një 40-vjeçar nga fshati Skallnuer i Durrësit u arrestua nga Policia, pasi dyshohej se do kryente krim në familje.
Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetasi me iniciale L. H., ishte larguar prej disa ditësh nga banesa, sepse bashkëshortja e tij është e pajisur me urdhër mbrojtjeje nga Gjykata e Durrësit, që prej datës 04.05.2023, për shkak të dhunës së ushtruar nga ky shtetas.
Dyshohet se 40-vjeçari po kërkonte bashkëshorten për ta vrarë, e cila ishte larguar nga banesa, së bashku me fëmijët. Ndërhyrja në kohë e Policisë për kapjen e tij parandaloi ngjarjen e rëndë kriminale.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në automjetin me të cilin qarkullonte ky shtetas, gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri tip automatik PMSH me karikator me municion luftarak.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.