Ky festival është festa e gjithçkaje që mund të shijoni në natyrë, sportin, kulturën, traditën, muzikën, natyrën dhe kulinarinë.
Kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, në një intervistë për ATSH-në thekson se “kjo zgjedhje nga ana e GIZ-it, partnerit tonë tashmë të pandarë në Himarë, mund të them se është diçka fantastike për vetë atë që ofron Borshi”.
Padyshim, thotë ai, bregdeti ka shtrirjen më të gjatë, me klimën më të favorshme, duke u gërshetuar në mënyrë të përkryer me detin dhe ullinjtë e fushës së Borshit.
“Borshi ka njohur organizime të tilla eventesh të suksesshme edhe më parë ku mjafton të kujtojmë Rally Albania 2017, apo Festivale të Muzikës, organizuar nga të organizma të rinjsh botërorë”, shprehet Goro.
Kryebashkiaku i Himarës, Goro tregon se “Borshi ka shumë karakteristika të veçanta, freski natyrore të admirueshme, vitalitet dhe frekuentim edhe në lartësi të tij ku mund të përmend Kalanë e Sopotit ku vitin që shkoi organizuam edhe aktivitetin e “Natës së Yjeve””.
“Borshi ka padyshim ujëvarën dhe shtratin e lumit më të bukur në të gjithë bregdetin. Borshi ka gjithçka. Borshi ka ullinjtë dhe vajin, portokallet dhe mandarinat, deri tek ushqimet tradicionale BIO, që do të jenë një befasi për këtë South Outdoor Festival 2019 në Njësinë Administrative të Lukovës”, thekson ai.
Goro nënvizon se “aty ku me sa duket GIZ-i me instalimin e ri që po i dedikon kaq shumë kohë zhvillimit të fshatrave të kësaj Njësie, po na krijon mundësinë të shohim përpara për një Himarë të së Nesërmes në çdo detaj urban zhvillimi të saj”.
Kryetari i bashkisë së Himarës falënderon organizatorët, ekipin e GIZ-it që sipas tij, tashmë e kanë Himarën kudo siç edhe e kam thënë “një dashuri me shikim të parë”.
South Outdoor Festival organizon aktivitetet më të njohura në natyrë në 4 ditë dhe zhvillohet në vende të ndryshme të Rajonit të Bregdetit Jugor të Shqipërisë çdo vit, për të promovuar fshatrat për zhvillimin e turizmit.
Festivali i fton pjesëmarrësit nga e gjithë vendi dhe e gjithë Europa që të bashkohen, të konkurrojnë dhe të argëtohen, të përhapin gëzimin dhe të përjetojnë bukurinë unike të natyrës, ushqimit, kulturës, traditës së Shqipërisë së Jugut.
Edicioni i ardhshëm i South Outdoor Festival do të zhvillohet në 26-29 prill 2019.
Borshi do të jetë ndalesa tjetër për festivalin e këtij viti. Borshi është një nga fshatrat më të mëdhenj të Shqipërisë së Jugut dhe është shumë i njohur për fushat e ullishteve, prodhimi i vajit të ullirit si dhe për plazhin e gjerë (7 km të gjatë) të krijuar nga delta e lumit.
Borshi gjithashtu karakterizohet nga një diversitet i jashtëzakonshëm gjeologjik, një përzierje e detit, maleve dhe burimeve të mahnitshme natyrore, si dhe një trashëgimi e pasur kulturore, traditë dhe kuzhinë të shijshme që e bën atë ideal për të gjitha llojet e aktiviteteve në natyrë dhe një destinacion perfekt turistik.
Vendi i këtij viti do të jetë në mes të fushave të Groove Olive, 200 metra nga bregu, në rrugën e shtruar që të çon në det.
Një koleksion i mrekullueshëm i talenteve muzikore, me akte dhe skena shumë më të mira se shumica e festivaleve të lirë, do të performojnë çdo ditë, ndërsa birra, vera dhe shitësit e ushqimeve do të jenë në dispozicion për të gjithë pjesëmarrësit. /atsh/