Gjykata e Tiranës e ka shpallur të pafajshëm Fatjon Muratin në lidhje me akuzën e armëmbajtjes pa leje, për arsenalin e armëve që u sekuestrua disa muaj më parë në Sauk.
Prokuroria e Tiranës i kërkoi gjykatës ta dënojë me 3 vite burg Fation Muratin, i cili po gjykohej në mungesë për shkak se ishte larguar dhe kishte shkelur masën e arrestit të shtëpisë pas atentatit që u krye në lokalin e tij.
Murati u vu në përgjegjësi penale për shkak të një gjurme gishti të tij në kutinë e një pistolete, pjesë e një arsenali armësh të gjetura në banesat e Kristian Gjinit në Sauk. Nga hetimi nuk u provua që Murati të kishte kontakte me Gjini, apo të kishte qenë tek banesat ku u gjet kjo pistoletë.
Emri i Fatjon Muratit u bë i njohur kur disa muaj më parë ndaj lokalit të tij në “Don Bosko” u qëllua me breshëri armë, ku për pasojë u vra banakierja, teksa u plagosën dhe 5 persona të tjerë, dy prej të cilëve të afërm.
Pas ngjarjes së rëndë, efektivët e policisë shkuan në shtëpinë e Murataj, që ndodhej pranë lokalit por nuk e kanë gjetur aty.
Murati është edhe një nga personat që dyshohen si të përfshirë në atentatin e trefishtë të ndodhur në Krujë vitin e kaluar, ku mbetën të vrarë Diklen Vata, Besmir Hoxha dhe Brilant Martinaj, kushëri i Ervis Martinajt.