Ramush Haradinaj: Albin Kurti të japë dorëheqjen. Është bërë i rrezikshëm për të ardhmen e vendit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit.

Në një deklaratë pas mbledhjes së Kryesisë së AAK, Haradinaj u shpreh se situata është më e rënda që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës për është kryeministri Albin Kurti.

Ai ka përsëritur edhe sot kërkesën për dorëheqjen e Kurtit, me arsyetimin se paraqet rrezik për vendin.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën në vend. Ajo sot është më e rënda që nga viti 1999. Shoh përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj situate, kryeministrin Albin Kurti. Prandaj ai duhet të largohet menjëherë. Çdo ditë e tij në krye të Qeverisë, është e dëmshme dhe e rrezikshme për vendin”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se është hera e parë në histori që miku më i madh i Kosovës, ai që luftoi për lirinë tonë dhe që i vuri themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, Amerika, i vendos sanksione Kosovës.

“Dhe fajtor për këtë është një njeri, Albin Kurti. Prandaj u bëj thirrje të gjithë atyre që ia duan të mirën vendit të tyre, qofshin në Vetëvendosje apo në partitë tjera politike, qytetarë në vend e në diasporë, që sot ta ndihmojnë Albin Kurtin, dhe ndihma e vetme e tyre është që ta bindin Albin Kurtin që të largohet nga kreu i Qeverisë, sepse është bërë i dëmshëm dhe i rrezikshëm për të ardhmen e këtij vendi. Ai i cili i sjellë sanksione Kosovës nga Amerika, (kushdo qoftë ai) nuk mund ta drejtojë këtë vend”, tha ai.

Loading...