‘Pi 3 gota në ditë, ja kam dhënë mbesës dy muajshe’, njihuni me familjen në Lazarat që rrit gomarica për qumësht: S’kam më nevojë për vitamina 

Në fshatin Sofratikë, një familje nga Lazarati ka ngritur një fermë për mirërritjen e gomaricave pas shtimit të interesit për këtë qumësht, për shkak të vetive shëruese.

Fatiko Basha pohon se ideja për nisjen e këtij biznesi ishte dëshira për të mbajtur në vend fëmijët, që janë të tunduar nga dëshira për t’u larguar në emigrim.

Ndonëse një litër qumësht gomarice ka një çmim të lartë shitjeje, kostot e mbarështimit janë të larta dhe mungesa e mbështetjes me subvencione rrit vështirësitë e fermerëve.
Fatikua pohon se krahas gomaricave ata kanë edhe një tufë bagëtish të imta, pasi të ardhurat e fituara nga gomaricat nuk janë të shumta.

“Po e kemi konsumuar edhe vetë qumështin e gomaricës dhe kemi pasur rezultate shumë të mira, nuk kemi viruse, alergji, asgjë. Ja kam dhënë mbesës që dy muajsh qumështin e gomaricës. Kam rënë në peshë pas konsumimit të qumështit të gomaricës, i kam lënë të gjitha vitaminat që përdorja. Kam pirë nga tre gota në ditë”, shprehet Fatiko Basha.

Ferma Basha është e vetmja në Qarkun e Gjirokastrës që rrit gomaricat vetëm për qumështin, duke u kursyer atyre shfrytëzimin si kafshë ngarkese.

Loading...