Është arrestuar efektivi i rendit në Shkodër, Shkëlzen Gjonaj, i cili dhunoi brenda një lokali një të ri duke e goditur me grushte e shkelma, si edhe i mori para një qytetari nga portofoli.
Ministria e Brendshme ka reaguar duke thënë se ai është vendosur në pranga nga AMP dhe do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit.
“Për rastin e transmetuar mbrëmjen e kaluar në media e për të cilin Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore reaguan menjëherë, Ministria e Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën. Ky punonjës është arrestuar nga AMP e do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit.
Ne inkurajojmë investigime të tilla gazetareske, por edhe referimin e qytetarëve për punonjës të Policisë së Shtetit që kryejnë shkelje ligjore apo etike gjatë ushtrimit të detyrës. Vijimësisht jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe.
Vetëm përgjatë vitit 2022 AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtënguese. Ky është tregues i vullnetit tonë të plotë për të larguar nga Policia e Shtetit ata që bëjnë pis uniformën e kësaj trupe”, shkruan Ministra e Brendshme.
Në një video të publikuar efektivi i Rendit në Policinë e Shkodrës, Shkëlzen Gjonaj, futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin qytetarit.
Ai dyshohet se i ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikas nga kamerat ia ka kthyer pronarit disa orë më pas, sipas emisionit investigativ Fiks Fare.
Në një tjetër video, Shkëlzen Gjonaj shihet në një lokal në Shkodër duke goditur me shkelma dhe grushte një djalë të ri.
“Mund ta kem bërë, por për punë”, thotë ai, kur u pyet nga gazetarët për dhunën nga qytetarit.